Gjykimi ndaj Pjetër Shalës do të vazhdojë më 27 mars 2023, me dëgjimin e dëshmitarëve të Prokurorisë.
Gjykimi ndaj Shalës filloi më 21 shkurt 2023, ku i njëjti u deklarua i pafajshëm, ndërsa Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave paraqitën deklaratat hyrëse.
Derisa, gjatë të mërkurës janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Shala thotë se ka luftuar kundër një makinerie policie ushtarake të një regjimi kriminal të Millosheviqit, por kurrë kundër civilëve
(Përditësuar, ora: 12:36)- Në deklaratën e tij para trupit gjykues, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte, ka deklaruar se ka luftuar kundër një makinerie policie ushtarake të një regjimi kriminal të Slobodan Millosheviqit, por kurrë kundër civilëve.
Shala ka thënë se ai e respekton drejtësinë dhe nuk i ik asnjëherë drejtësisë e se asnjëherë në jetën e tij nuk ka bërë atë që i ngarkohet në aktakuzë dhe se këto janë të panjohura për të.
“Unë kam qenë një luftëtar që kam luftuar për lirinë e vendit tim dhe popullit tim, asgjë më shumë e as më pak”, ka thënë Shala.
Tutje, tha se nëse është qëllimi i këtij institucioni ta dënojë pasi ka luftuar për lirinë e vendit të tij dhe popullit të tij, është në rregull, por jo në këtë mënyrë të baltoset dhe njolloset dhe jo në këtë metodë, pasi as ai e as UÇK nuk kanë luftuar kundër civilëve dhe nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me këto akuza.
“Këto aktakuza që më ngritën janë të panjohura për mu, s’kam asgjë të bëj”, tha Shala.
Tutje, deklaroi se ka disa fjalë edhe për Prokurorinë dhe sipas tij ai nuk e ka në edukatë që të fyej.
“Unë jetoj që 25 vjet apo shkurt thënë gjysmë shekulli në Belgjikë, shtet demokratik, detyra e prokurorit aty ku jetoj unë është hulumtoj, zbuloj paraqes provat dhe kërkoj drejtësi, në asnjë mënyrë t’i sajoj, t’i fabrikoj, në asnjë mënyrë. Madje aty ku jetoj unë është vepër penale, është e dënueshme”, tha Shala.
Sa i takon Dhomave të Specializuara, ai tha se nuk dëshiron të fyejë dhe shtoi se nuk e ka përkrahur asnjëherë.
“Mirëpo, deshi fati të jem këtu para jush dhe nëse këtu me të vërtetë ka vetëm pak drejtësi, shpresoj që atë drejtësi do të ma jepni të më shpallni të pafajshëm”, tha Shala.
Ai tha sërish se dëshiron të thotë qartë dhe pa asnjë dyshim se është plotësisht i pafajshëm për të gjitha akuzat që i janë bërë dhe pretendimet që i bëhen në këtë proces.
Avokati: Më shumë ka pasur forca të dërguara për të arrestuar Shalën se sa Bin Ladenin
(Përditësuar, ora: 12:01)- Gjatë deklaratës së tij hyrëse, avokati i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, ka deklaruar se ka pasur më shumë forca të dërguara për të arrestuar Pjetër Shalën se sa ato që ishin dërguar për Bin Ladenin.
Avokati thotë se Shala s’ka marrë pjesë në marrje në pyetje apo torturë të ndonjë lloji dhe se s’di për ekzistimin e burgut në Fabrikën e Metalit
(Përditësuar, ora: 11:58)- Jean-Louis Gilissen, avokat i Pjetër Shalës, tha se i mbrojturi i tij as nuk ka parë, as nuk ka ditur ndonjëherë diçka për pretendimet e një burgu në Fabrikën e Metalit dhe se asnjëherë nuk ka marrë pjesë në ndonjë marrje në pyetje, apo torturë të asnjë lloji.
Paraprakisht, avokati i Shalës tha se duhet të theksojë se nga çështja e Prokurorisë do të marrin vesh pak ose aspak lidhur me kushtet në të cilat Shala u bë pjesë e rezistencës dhe e njëjta gjë është e vërtetë edhe lidhur me kushtet, në të cilat u kyç në UÇK, që ka luftuar për lirinë dhe mbijetesën e popullsisë shqiptare në Kosovë.
Ai ka pyetur se çfarë do të ishte bërë me mijëra e mijëra njerëz që u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre dhe vendi i tyre në mënyrë të dhunshme në qoftë se UÇK nuk do të kishte ekzistuar me persona të tillë të armatosur si Shala.
“Anëtarësimi dhe lufta në UÇK nuk është krim ose për të qenë më i saktë, nuk ka qenë asnjëherë krim”, ka thënë ai.
Tutje, avokati deklaroi se Shala i përkiste UÇK-së dhe këtë e pohon edhe ai vetë dhe po presin që ZPS të paraqesë provat që pretendon se ka.
“E vërteta është që zoti Shala në vitin 1998 u plagos rëndë gjatë luftimeve, detyrua të largohej nga një kundërsulm që bëri ushtria dhe në fakt vranë shumë ushtarë të UÇK-së”, tha avokati.
Sipas tij, në Belgjikë, Shala nuk është përzier me politikën dhe se nuk ka pasur përgjegjësinë që dëshirojnë t’ia jepin sot.
“S’ka asgjë pra, asgjë. Nuk ka kurrfarë përgjegjësie zoti Shala. Ai respekton ligjin e vendit dhe atje zbuloi se çfarë ishte një jetë normale në këtë shtet, mund të dilte mbrëmjeve pa pasur frikë mos e arrestonin dhe mos e rrihnin për të vetmen arsye se fliste shqip. Për të ishte e mrekullueshme kjo, diçka e re. Mund të punonte, të fitonte jetesën dhe kjo ishte gjë e re për të dhe këtë mund ta bënte pa pasur frikë nga policia dhe milicia. Belgjika për të dukej një lloj parajse”, deklaroi avokati.
Tutje, u tha se po përpiqej të merrte statusin e azilit politik dhe për të bërë këtë, ai si shumë të tjerë në situatën e tij gënjejnë pak ose përpiqen të përmirësojnë të dhënat e veta, por është e qartë se as ZPS nuk mund t’i kthejë këto gënjeshtra të nevojshme në një të vërtetë të provuar.
“Dhe kështu dolën imazhet dhe lajmet për këto krimet që po kryheshin gjerësisht në Kosovë kundër personave. Po flasim për marsin e 1999. Ndjeu detyrën që të linte parajsën- Belgjikën dhe të kthehej në ferr, vërtet në ferr, siç ishte në atë kohë në Kosovë. Ai nuk kërkon falënderime apo merita për këtë, nuk mund të kishte vepruar ndryshe, ishte e paimagjinueshme për të, të qëndronte në Belgjikë, ndërkohë që kaq shumë njerëz po vuanin”, tha avokati, duke shtuar se është kthyer me shumë të tjerë që kishin zgjedhur të mbronin ata që kanë mbijetuar.
Ai tha se Shala nuk është monstër e as nuk është hero, është thjesht një njeri.
“Dhe kështu përfundoi Shala në Durrës, Shqipëri. Këtu fillon skenari i plotë i projektuar nga ZPS. Gjatë këtij gjykimi ZPS do të përpiqet të tregojë çfarë ndodhi në Durrës sipas skenarit të prokurorit se ky është skenari real. Ne nuk e dimë. S’kemi marrë ndonjë informacion nga prokuroria dhe më vjen keq ta them të nderuar gjykatës, as ju nuk e dini. Kjo është zgjedhja e prokurorisë, nuk kemi marrë asgjë, madje unë nuk e di nëse hetuesit kanë shqyrtuar këto informacione”, tha avokati.
Në vijim, tha se ajo çka kanë kuptuar nga skenari i ZPS është se shkoi në Kukës nga Durrësi për të kontrolluar dhe komanduar Fabrikën e Metalit në Kukës. Por, avokati tha se ky nuk është realiteti.
“Realiteti është nëse shikojmë shkresat në dosje, sidomos ato që vijnë nga hetimet e vet ZPS, është që zoti Shala që donte të shkonte në frontin e luftës, zoti Shala shumë shpejt e mori vesh se nuk kishte ndonjë pozitë për atë në Kukës, asnjë lloj pozite. Realiteti është zoti Shala besohet se u dërgua në zonën operative të Pashtrikut, pra në Kukës, ku ishte pika ku takoheshin luftëtarët e rinj dhe popullsia civile që donin të kyçeshin në UÇK. Nuk shkoi me gëzim të madh aty, por shkoi se ishte afër frontit dhe thellë thellë nuk kishte zgjidhje tjetër”, tha avokati.
Tutje, tha se kur shkoi atje zbuloi se ekzistonin tre grupe apo organizata që rrinin pranë kësaj fabrike, një qendër logjistike dhe një grup ushtarësh ishin angazhuar të formonin një brigadë dhe se kjo ishte afër rrethinave të fabrikës.
Sipas avokatit, shumë shpejt Shala e kuptoi se askush nuk e priste atje dhe se nuk kishte vend për të në asnjë nga këto organizata, por fatmirësisht ai njihte administratorin kryesor të këtij grupi logjistik në këtë fabrikën e vjetër dhe hyri në kontakt me të.
“Ne e dimë se kështu mori një armë dhe se si u largua nga Kukësi dhe fabrika e vjetër pa pasur ndonjë përgjegjësi apo rol atje. Ai qëndroi në front ose diku aty afër, herë pas here bashkohej me disa luftëtarë ose në kampet e UÇK-së që të pushonte, merrte veten dhe të vazhdonte të luftonte në këto kushte të jashtëzakonshme dhe rrethana të jashtëzakonshme”, tha avokati.
Tutje, Gilissen tha se Shala kaloi kalimthi në Fabrikën e Metalit në Kukës dhe nuk u stacionua atje, por mund të ketë kaluar në natë apo dy sepse ishte vend i pakëndshëm dhe nuk kishte zhvillim.
“Ishte vend i pakëndshëm, vetëm depo kishte atje dhe një kuzhinë, ku mund të haje, por as nuk konvikt nuk ishte, fjetore nuk kishte, e keni parë, nuk ka fjetore atje. E dimë këtë nga fakti se personat e UÇK-së ishin detyruar të flinin mbi dysheme prej betoni dhe zoti Shala mohon në mënyrë kategorike të ketë qenë ndonjëherë anëtar i brigadës 128”, tutje deklaroi avokati.
Sipas tij, lidhjet e Shalës me fabrikën e metalit në Kukës janë inekzistente.
“Besoj për një person që nuk e ka vizituar asnjëherë Fabrikën e Metalit të vjetër, gjëja më interesante që nuk u përfaqësua këtu është brenda ndërtesë. Nuk treguat asgjë si ishte brenda kjo ndërtesë dhe ne do të donim ta shihnit në fakt. Sigurisht në këto dhoma të famshme, apo zyra, të shihnim saktësisht si ishte planimetria e brendshme, përmasat e këtyre dhomave, gjendja e këtyre dhomave dhe tani atje janë plaçkat siç kanë qenë mobiljet dhe kur lexoi deklarata të personave që pretendojnë se kanë qenë viktima atje, kam idenë dhe krijohet përshtypja që është e pamundur të kenë qenë kaq shumë persona në këtë dhomë”, deklaroi avokati i Shalës.
Sipas avokatit, Shala as nuk ka parë, as nuk ka ditur ndonjëherë diçka për pretendimet e një burgu në Fabrikën e Metalit.
“Ai ka thënë se asnjëherë nuk ka marrë pjesë në ndonjë marrje në pyetje, apo torturë të asnjë lloji”, tha avokati.
Avokati deklaroi se Shala i mohon akuzat dhe se ai nuk është i vetmi që i bën këto deklarata.
“Lidhur me këto pika, pjesa më e madhe që ka intervistuar ZPS thonë të njëjtën gjë, i qëndrojnë të njëjtës deklaratë dhe ZPS ka intervistuar shumë persona që kanë kaluar kohë në fabrikën e metalit apo në Brigadën 128. Shumica e këtyre dëshmitarëve që ZPS ka vendosur të mos i thërrasë për të dhënë dëshmi, kundërshtojnë pretendimet e prokurorisë”, deklaroi ai.
Sipas tij, këta persona thonë që nuk e njohin Pjetër Shalën dhe nuk njohin asnjë person që thirret “Ujku” ose se e kanë parë shumë rrallë atje, derisa shtoi se shumica e personave të Brigadës 128 e mohojnë se ai ka qenë pjesë e kësaj brigade.
Tutje, tha se ZPS është tërhequr nga këta dëshmitarë e një dëshmitari që ka pamje filmike që tregojnë realitetin lidhur me këtë fabrikë./Njeshi/