I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione speciale, Richard Grenell e ka ‘goditur’ kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili po përpiqet ta marrë edhe një mandat qeverisës.
Pak ditë para zgjedhjeve, Grenell u tha qytetarëve se Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në.
“Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje të SHBA-së të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, ka shkruar Grenell.
Ai tha se SHBA-ja ka nevojë për partnerë të besueshëm dhe e ka kritikuar Kurtin se ka ndaërmarrë veprime të njëanshme që e kanë destabolizuar rajonin.
“Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që e destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, shkroi Grenell në X./Njeshi/