Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në Facebook ka thënë se se do të vendosin të gjitha burimet në dispozicion për të gjetur zgjidhjen për mbeturina.
Ky reagim i të parit të kryeqytetit vjen pas grevës së nisur sot nga punonjësit e ndërmarrjes “Pastrimi”.
Punëtorët e pastrimit janë të pakënaqur me pagat që ata marrin dhe thonë se kjo i ka detyruar ata t’i futen grevës.
“Me shqetësim të madh po e adresoj grevën e fundit të punëtorëve të Ndërmarrjes “Pastrimi”. Ne e kuptojmë zhgënjimin e punëtorëve dhe njohim të drejtën e tyre për të protestuar, por vendimi i tyre për të ndërprerë punën ka pasur një ndikim të rëndë në pastërtinë e qytetit tonë. Rrugët janë të mbushura me mbeturina dhe kjo situatë është e papranueshme”, ka shkruar Rama në facebook.
“Ne kemi qenë aktivisht të angazhuar me Ndërmarrjen për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje dhe jemi të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të drejtë nga e cila do të përfitojnë edhe punëtorët dhe kryeqyteti. Ndërkohë, ne jemi duke vendosur të gjitha burimet në dispozicion për të menaxhuar situatën dhe për të pastruar sa më shpejt mbeturinat. Kërkojmë ndjesë për shqetësimin e shkaktuar dhe ju sigurojmë se po punojmë me përkushtim të plotë për të zgjidhur sa më shpejtë situatën”, ka reaguar i pari i Prishtinës.
Kompania “Pastrimi” sot përmes një komunikate ka lajmëruar grevë pas mospërfshirjes së tyre në pakon e ringjalljes nga Qeveria. Si pasojë e kësaj, vendet ku janë të vendosura kontejnerët në Prishtinë këtë të martë ishin të stërmbushura me mbeturina.