1.3 C
Pec
E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Guerot: Kosova ta dërgojë në Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, Serbia ti nxjerrë para drejtësisë autorët e Banjskës

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa ka theksuar se asgjë nuk ka ndryshuar në “përkrahjen e vendosur dhe vendimtare të Parisit për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”.

Ambasadori francez tha se një gjë e tillë dëshmohet edhe me kthimin e Francës në KFOR, derisa shpreson që marrëdhëniet mes dy vendeve të konkretizohen, pavarësisht dallimeve që mund të kenë kur bëhet fjalë për dialogun e Kosovës me Serbinë.

“Kthimi i Francës në KFOR dëshmon për përkushtimin tonë për stabilitetin e rajonit dhe të Kosovës në veçanti. Kemi kontakte të rregullta të nivelit të lartë me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, i cili së fundi ishte në Paris për një forum ekonomik bilateral dhe ku ai pati një takim me Benjamin Haddad, Zëvendësministër për Evropën. Franca sapo ka hapur Institutin e Kulturës në Prishtinë, i cili do të punojë jo vetëm në Prishtinë, por në të gjithë territorin e Kosovës, me të gjithë aktorët përkatës të zhvillimit, po punon me qeverinë për të mbështetur disa projekte kyçe për zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij evropian, shpresoj që së shpejti të konkretizohen marrëdhëniet mes Francës dhe Republikës së Kosovës, pavarësisht nga dallimet që kemi kemi kur është fjala për dialogun me Kosovën dhe Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së”, thotë Guerot për Kosovo Online.

Për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe ngecjen e dialogut, ambasadori Guerot tha se kjo “mbetet sfidë e planit të parë dhe çështje e sigurisë evropiane”, dhe se Franca mbështet përpjekjet e ndërmjetësimit të BE-së.

Ambasadori i Francës në Kosovës tha se çdoherë inkurajojnë lëvizjet pozitive që do të ndihmonin përparimin në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa përmendi rëndësinë e Kosovës për ta dërguar draft-statutin e Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Në çdo rast ju kujtojmë preokupimin tonë me lëvizjet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës, duke inkurajuar lëvizje pozitive që do të ndihmonin përparimin në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të mundësonin përparimin e Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane. Në veçanti theksojmë rëndësinë e Kosovës që ta dërgojë draft-statutin evropian të Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese”, tha Guerot, derisa shtoi se një gjë e tillë është përmendur edhe nga presidenti francez, Emmanuel Guerot.

“Sipas marrëveshjeve të Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, krijimi i Asociacionit kishte për qëllim integrimin e strukturave paralele serbe në kornizën ligjore të Kosovës. Fatkeqësisht, ende nuk është krijuar dhe mbyllja e njëanshme e strukturave paralele është në kundërshtim me këto marrëveshje”, tha Guerot.

Ndërsa për Serbinë, Guerot theksoi se Emmanuel Macron ia ka kujtuar vazhdimisht Aleksandar Vuçiqit se autorët e sulmit në Banjskë duhet të vihen para përgjegjësisë.

“Kur është fjala për Serbinë, gjatë takimit me presidentin Vuçiq, presidenti francez ka kujtuar vazhdimisht se autorët e sulmit në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin. Edhe Serbia duhet të zbatojë obligimet e saj në kuadër të dialogut”, tha ambasadori francez./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...