Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Kështu ka ndodhur edhe në një shtëpi në Pejë.
Cak i hajnave ka qenë edhe familja Rexha, e cila derisa po pushonte jashtë vendit, hajnat kishin zgjedhur t’i “çelnin derën” ndryshe.
Kishin depërtuar përmes dritares së pasme dhe kishin “ngarkuar” gjithçka që kishte vlerë – përfshirë bizhuteri, para dhe pajisje elektronike.
Raportohet se viktima, kryefamiljari, ka raportuar në polici se shtëpia e tij është thyer nga data 19 deri më 21 prill, kohë kur ndodhej jashtë Kosovës.
Me t’u kthyer familja Rexha në shtëpi, ka zbuluar se shtëpia e tyre ishte thyer. Nga shtëpia janë vjedhur gjësende me vlerë të raportuar rreth 100 mijë euro.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia, e cila ka njoftur se rasti është nën hetime dhe se janë angazhuar në bastisje në disa lokacione, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.
Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni dhe ka urdhëruar që rasti të hetohet si “Vjedhje e rëndë”. /Njeshi/