29.4 C
Pec
E premte, 21 Qershor, 2024

Haliti flet nga NATO: Tani po festojmë, delegacioni serb doli duke u fjalosur mes vete

Kosovës i është avancuar statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Kuvendi i Kosovës ka avancuar statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate. Gjatë këtij votimi, një votë ishte kundër dhe gjithsej 14 abstenime.

Anëtari i delegacionit të Kosovës, njëherit deputeti Xhavit Haliti, ka folur pasi Kosovës i është avancuar statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Haliti, thotë se gjithçka ishte e planifikuar sipas rendit të ditës dhe nuk ka pasur debat lidhur me këtë çështje dhe se tani janë duke festuar.

”Ishte gjithçka e planifikuar sipas rendit të ditës, nuk ka pasur debat lidhur me këtë çështje, pra nuk është lejuar debati por vetëm votimi, në votim kemi kaluar, tash jemi duke festuar’’ shprehet Haliti.

Ai thotë se delegacioni serb ku merrnin pjesë 11 anëtarë, kanë dalur duke u fjalosur mes vete dhe se mesin e tyre, pjesë e delegacionit ishte edhe Goran Rakiq.

‘’Delegacioni serb kanë dalur duke u fjalosur mes vete, delegacioni serb me të cilin iu ishte bashkuar edhe Rakiqi, ishin ardhur të përgatitur, kanë qenë 11 persona, si logjistikë me iu ndihmuar atyre’’ deklaron Haliti.

Ai thotë se dje ka pasur debat për Kosovën, ndërsa sot nuk iu është dhënë fjala asnjërit delegacion.

‘’ Dje është zhvilluar një debat këtu për Kosovën, por sot nuk iu është dhënë fjala as atyre e as neve’’, thotë Haliti.

Ndryshe, Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova avancoi statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë, në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...