Hapet për herë të parë pas 32 vjetësh porta e tunelit të fortifikuar të Porto Palermos.
Ky është hapi i parë i një projekti të Ministrisë së Mbrojtjes për rijetëzimin dhe rehabilitimin e të gjithë kompleksit infrastrukturor në Gjirin e Panormës për funksione ushtarake dhe civile.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në Facebook pamjet nga hapja e tunelit nënujor të Porto Palermos, ndërsa shkruan se ky është hapi i parë i një projekti të Ministrisë së Mbrojtjes për rijetëzimin dhe rehabilitimin e të gjithë kompleksit infrastrukturor në Gjirin e Panormës për funksione ushtarake dhe civile.
Tuneli shërbente si një bazë autonome për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, brenda gadishullit të Porto Palermos. Hapja e portës prej çeliku e këtij tuneli ujor të veshur me betonarme ka vënë për herë të parë në lëvizje pas shumë kohësh mekanizmin e saj.
Ndërtimi i këtij tuneli nisi në 1969 dhe zgjati deri në vitin 1988. Ai shërbente për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, duke shërbyer njëkohësisht si një bazë e fuqishme dhe e mbrojtur.