Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka thënë se me 9 shkurt duhet të ndalet trendi i humbjeve dhe se ka ardhur koha për ta shndërruar Kosovën në fituese.
Haradinaj ka listuar humbjet që Kosova ka përjetuar në qeverinë Kurti.
“Të mëdha dhe disa mbase të pariparueshme janë humbjet e Kosovës në katër vitet e fundit. Orientimi strategjik krejtësisht i gabuar i Kurtit dhe Qeverisë bëri që:
– Kosova të humbë kërkesën e vendeve aleate për marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe njohje reciproke;
– Kosova humbi të gjitha shanset për përafrim dhe anëtarësim në NATO;
– Kosova humbi shansin që të jetë anëtare e Këshillit të Evropës;
– Kosova humbi Contour Global dhe investimin prej 1.5 miliardë në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike dhe e humbi edhe rastin gjyqësor;
-Kosova e humbi projektin e gazit Amerikan, një shansë për siguri energjetike afatgjate nga miqtë më të mëdhenj që ka Kosova;
– Qeveria e Kosovës humbi besimin e 200 mijë qytetarëve të vet të cilët braktisën Kosovën për jetë më të mirë;
– Kosova, për fitore optike dhe tepër afatshkurtra në komunat veriore, humbi besimin dhe përkrahjen e vendeve aleate dhe e cenoj gjithë projektin e përbashkët të Kosovës me aleatët.
E gjatë është lista e humbjeve dhe frika se vazhdimi i kësaj qeverisjeje do t’i rrisë dhe rëndojë humbjet e Kosovës“, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se tani ka ardhur koha për ta shndërruar Kosovën në fituese.
“Me 9 shkurt duhet të ndalet trendi i humbjeve. Ka ardhur koha për ta shndërruar Kosovën në fituese. Ne të gjithë e kemi për obligim të punojmë për një Kosovë fituese:
– Për një Kosovë fituese në aspiratat për anëtarësim direkt në NATO
– Për një Kosovë fituese në zhvillim
– Për një Kosovë fituese në lobim për njohje dhe respekt ndërkombëtar
– Për një Kosovë fituese në dialog dhe në marrëdhënie ndërkombëtare
– Për një Kosovë fituese nga burimet e saj njerëzore dhe natyrore”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka shtuar se Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me demagogji dhe propagandë.
“Kosova nuk duron më humbje. Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me demagogji dhe propagandë. Kosova nuk duron mashtrues që humbjet i quan fitore. Ne duam t’u kthehemi fitoreve. Fitoreve tona, qoftë si individë, qoftë si shoqëri. Për një Kosovë fituese e kemi obligim të gjithë të angazhohemi e punojmë”, ka përfunduar Haradinaj./Njeshi/