Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka diskutuar sot lidhur me, siç është shprehur kjo parti, “gjendjen e rëndë” në Kosovë.
Në tryezën e mbajtur sot, ky grup parlamentar ka diskutuar në veçanti edhe për situatën arsimore në vend, më konkretisht për çështjen e librave.
AAK-ja ka renditur disa gjetje që thotë se i ka mbledhur nga vëzhgimi në terren. Tha se vendimi i Ministrisë së Arsimit për sigurimin e teksteve shkollore është i kundërligjshëm, shuma e ndarë 50 euro për libra dhe 30 euro për pajisje tjera shkollore nuk është e mjaftueshme, aplikimi po del të jetë problematik dhe se tekstet e vjetra shumica janë të papërdorshme.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se vendimi i MASHTI-t, është shqetësues dhe i gabuar. Sipas tij, kjo formë e pajisjes me libra i kushton shtetit 12 milionë, ose mbi gjashtë milionë euro më shumë se viteve të kaluara.
“Disa shqetësime lidhur me arsimin i kemi ndarë të gjithë, statusi financiar i mësimdhënësve, është vështirë të kërkohet cilësia e angazhimeve nëse nuk ka trajtim financiar për mësimdhënësit. Kemi shpresuar se Qeveria do ta bëjë një zgjidhje duke i ngritur pagat, dhe na ka ardhë keq se në kohën e grevës, trajtimi nuk ka qenë meritor”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj tutje ka shprehur shqetësimin e tij dhe të partisë, për mungesën e librave.
“Jemi të shqetësuar me situatën me tekstet shkollore, nuk kemi deshtë të ndërhymë në marrëdhënien me mësimdhënës, prindër e fëmijë, sikur të kishte ndodh një ofertim i drejtë e me kohë. Në mënyrën si po implementohet sot, shpërndarja e tekstit e kalon 12 milionëshin, 6 deri në 8 milionë është kostoja më e shtrenjtë, më së paku 6 milionë më shtrenjtë. Ekziston rreziku që fëmijëve t’i mungojnë tekstet gjatë gjithë vitit shkollor, kush e garantoj që të gjithë fëmijët i kanë tekstet. Ju bëjë thirrje qytetarëve të bëni kujdes, t’i siguroni tekstet, jo të vonoheni e të vendosni në plan të dytë, për shkak se pasojat janë të mëdha në procesin e nxënies së dijes”, tha Haradinaj./Njeshi/