Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish-kryeministër i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj ka udhëtuar për në Kroaci për të marrë pjesë në ngjarjen e organizuar nga bashkëatdhetarët tanë me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Haradinaj ka thënë se mërgata shqiptare përpos që ndihmoi luftën çlirimtare, arriti të krijojë storie suksesi.
“Shqiptarët migruan në Kroaci e në vendet e tjera në Perëndim në kohë të vështira për vendin. Por kjo mërgatë, përpos që ndihmoi luftën çlirimtare, arriti të krijojë storie suksesi, si në biznes ashtu dhe në sferat e tjera”, ka shkruar Haradinaj.
Postimi i plotë:
Shqiptarët migruan në Kroaci e në vendet e tjera në Perëndim në kohë të vështira për vendin. Por kjo mërgatë, përpos që ndihmoi luftën çlirimtare, arriti të krijojë storie suksesi, si në biznes ashtu dhe në sferat e tjera.
Kisha kënaqësinë të jem i pranishëm në mesin e bashkatdhetarëve në Kroaci, në ngjarjen e mbajtur për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nën organizimin e Bashkësisë Shqiptare në prefekturën e Istrës, në qytetin e Pulës.
I shoqëruar nga nënkryetari i AAK-së dhe njëkohësisht deputet i Kuvendit të Kosovës, z. Pal Lekaj, përjetova përshtypjet më të mira për atë që e pashë dhe e ndjeva nga takimet e shumta me motrat e vëllezërit tanë.
Diaspora është vlerë e pakontestueshme e jona; vlerë që tregimin për Kosovën e ka ndërtuar dhe vazhdon ta mbrojë e pasurojë në mënyrën më të mirë./Njeshi/