12 C
Pec
E premte, 24 Janar, 2025

Haradinaj prezanton kandidatët nga Prishtina për zgjedhjet e 9 shkurtit

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar sonte kandidatët për deputetë nga Prishtina për garën e zgjedhjeve nacionale më 9 shkurt 2025.

Haradinaj ka thënë se kryeqyteti meriton të shndërrohet në një metropol modern dhe të zhvilluar.

“Ligji për Kryeqytetin, të cilin e miratuam për t’i dhënë fuqi e zhvillim Prishtinës, ka mbetur i mbuluar me pluhur në sirtarët e një qeverie që nuk di të qeverisë. Me energjinë e Kosovës Fituese dhe me përfaqësuesit tanë të përkushtuar si Besnik Tahiri, Haki Abazi, Brahim Mehmetaj, Shemsedin Dreshaj, Abdullah Klinaku dhe Emrie Bashota, do ta transformojmë kryeqytetin në një qendër të fuqishme ekonomike dhe administrative”, ka thënë ai.

Haradinaj tha se anëtarësimi direkt i Kosovës në NATO është imperativ strategjik për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.

“Me një rritje ekonomike 7% në vit, me pagë mesatare 1000 euro dhe pensione 500 euro, me ulje të TVSH-së në produktet bazike dhe me një fond special për punësimin e të rinjve, do të ndërtojmë ekonomi të fortë që i shërben çdo qytetari. Termocentrali i ri do të sigurojë pavarësinë tonë energjetike, ndërsa trefishimi i buxhetit për bujqësinë do të forcojë prodhimin vendor”, tha ai.

Haradinaj ka thënë se qeveria e drejtuar nga AAK-ja me partnerët e koalicionit do të merret me veprime konkrete, pasi ka program konkret veprimi për një shtet modern dhe të fuqishëm.

“Drejtësia e pavarur, lufta e pa kompromis ndaj korrupsionit, sistemi shëndetësor cilësor me QKUK të reformuar dhe arsimi i financuar me 6% të GDP-së do të jenë themelet e shtetit tonë. Nga modernizimi i hekurudhave te ndërtimi dhe përfundimi i autostradave e rrugëve magjistrale; nga mbrojtja e prodhimit vendor te subvencionimi i eksportit – çdo projekt i yni ka një qëllim të vetëm: ndërtimin e një Kosove që fiton”, ka përfunduar Haradinaj./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...