Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është në një situatë ku aleatët janë detyruar t’i rikthejnë trupat e tyre në kuadër të KFOR.
Haradinaj ka bërë të ditur se ka nisur bashkëbisedim me qytetarë të Kosovës duke filluar nga Komuna e Klinës.
“Bashkëbisedimin me qytetarë sot e nisa në komunën e Klinës. Diskutuam për zhvillimet politike, situatën ekononike dhe veçanërisht atë të sigurisë pas ngjarjeve në veri të vendit. Në takim me qytetarë, theksova se eksperimentet e qeverisë ndaj aleatëve dhe në obligimet e marrura si shtet e kthejnë Kosovën prapa”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se ngjarjet në veri e kanë cenuar sigurinë.
“Ngjarjet në veri e kanë shndërruar Kosovën në problem të sigurisë ndërkombëtare. Sot, jemi në një situatë ku shtetet aleate si Gjermania e Mbretëria e Bashkuar janë detyruar t’i rikthejnë trupat e tyre në kuadër të KFOR, e kjo nuk është e lehtë për ta”, ka shtuar Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se shkaktimi i krizave e cenon mundësinë për zhvillim të gjithëmbarshëm.
“Është koha të mos lejojmë të dëmtohet progresi që e kemi arritur për këto 20 e sa vjet. Shkaktimi i krizave që destabilizojnë rendin e sigurinë në rajon, cenon mundësinë për zhvillim të gjithëmbarshëm dhe realizimin e aspiratës sonë për integrimin në BE dhe në NATO”, ka përfunduar Haradinaj./Njeshi/