15.7 C
Pec
E hënë, 25 Shtator, 2023

Haradinaj Stublla: Kosova ka nevojë urgjente për një rishikim strategjik të dialogut

Vazhdimi i Kosovës për ta cilësuar “njohjen defacto” si një synim të drejtë dialogu dhe si kundërvlerë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, “është sa e pavlefshme dhe e pafrytshme”.

Kështu e konsideron insistimin e Qeverisë së Kosovës që fillimisht të formalizohet njohja de facto nga Serbia, pastaj të zbatohen pikat e tjera të Marrëveshjes Bazë, ish-ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Në një postim në llogarinë e saj në platformën “X”, Haradinaj-Stublla thekson se “Kosova ka nevojë urgjente për një rishikim strategjik të dialogut të saj me Serbinë, si çështje uniteti”.

“Duke rënë dakord për: 6 pika kufitare IBM; tërheqja e institucioneve paralele nga veriu i Kosovës; mos bllokimi i Kosovës në forumet rajonale; nënshkrimi me një qeveri legjitime të Kosovës; pranimi i rrugës së saj të veçantë të integrimit në BE… të gjitha plotësojnë teorinë e nënkuptuar të njohjes”, shkroi ajo.

Argumentin e saj, Haradinaj-Stublla e ndërtoi mbi bazën se njohja de facto tashmë ekziston që prej Marrëveshjes së Brukselit (2013), dhe nëse e njëjta dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për interpretim të mëtejshëm ligjor, do të përbënte njohje të nënkuptuar de facto.

“Nëse marrëveshjet e Brukselit që Serbia nënshkroi me Kosovën të gjykoheshin për interpretim të mëtejshëm ligjor në GJND, kjo përfundimisht do të përbënte njohje të nënkuptuar”.

Bisedimet e pafrytshme të kësaj jave në Bruksel kanë ngritur dilema e paqartësi për mënyrën e vazhdimit të dialogut.

As këtë herë, Kosova dhe Serbia nuk arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët për zbatimin e marrëveshjes bazike të arritur në fillim të vitit./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...