Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar qytetin e Pejës, ku tha se vizitën e nisi me ndarjen e mirënjohjes për Ali Sylqën, të cilin e quajti një nga shtyllat e kësaj partie në Pejë.
Haradinaj më pas bëri të ditur se qëndroi në stadiumin “Tahir Vokshi” në Brestovik, ku u takua me përfaqësuesit e klubit të futbollit “FC Besa Peja”.
“Më pas qëndrova në stadiumin “Tahir Vokshi” në Brestovik. Takimi me përfaqësuesit e Klubit të Futbollit “FC Besa Peja”, Presidentin e klubit Ardet Zekaj me bashkëpunëtorë, ishte një kujtesë e rëndësisë së sportit për rininë tonë. Ky klub nuk është thjesht një ekip sportiv, por një simbol i ringjalljes së traditës pejane të futbollit”.
“Mes tjerash, gjatë këtyre vizitave, theksova rëndësinë e anëtarësimit direkt të Kosovës në NATO përmes Planit Aksional. Ky hap strategjik nuk është vetëm çështje sigurie, por edhe një shtysë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Angazhimi ynë në këtë drejtim mbetet i palëkundur”, tha Haradinaj. /Njeshi/