Në ditëlindjen e 80-të të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, ai është kujtuar prej Ish-Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Astrit Haraqia, i njohur prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Presidentit dhe militantë i LDK-së.
‘Dr.Ibrahim Rugova ishte lideri që na mësoi qetësinë, durimin dhe qëndresën, në një kohë kur sfidat e kombit tonë dukeshin të pakalueshme.’-shkruan mes tjerash Haraqia.
Postimi i plotë:
‘Në përvjetorin e lindjes së Presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova
Sot kujtojmë me krenari dhe dhimbje të thellë lindjen e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, burrin që ndërtoi urën drejt lirisë dhe pavarësisë sonë.
Për mua, ky përvjetor nuk është vetëm një kujtim kombëtar, por edhe një moment personal reflektimi.
Përtej funksioneve që pata gjatë kohës së tij si President, më lidh me të një kujtim shumë i veçantë dhe emocional – çasti kur ai, me atë thjeshtësinë dhe ngrohtësinë që e karakterizonte, mori shejin e parë të flokëve të djalit tim Allgasit.
Ishte një gjest simbolik, por për mua mbeti një bekim i paharrueshëm, një kujtim që ruaj me dashuri të madhe.
Dr.Ibrahim Rugova ishte lideri që na mësoi qetësinë, durimin dhe qëndresën, në një kohë kur sfidat e kombit tonë dukeshin të pakalueshme.
Ai i dha popullit tonë jo vetëm vizionin për pavarësi, por edhe shembullin se si të ruajmë dinjitetin dhe të ndërtojmë urat e paqes.
Sot, ndërsa Kosova gëzon ditët si shtet i lirë e sovran, e ndiejmë më shumë se kurrë mungesën e tij, por edhe forcën e trashëgimisë që ai na la.
Çdo sukses i Kosovës është një dëshmi e gjallë e vizionit dhe përkushtimit të tij të pashoq.
Lavdi përjetë jetës dhe veprës së Ibrahim Rugovës, simbolit të unitetit dhe pavarësisë sonë!’-shkruan Haraqia.
Ndryshe Ibrahim Rugova ka lindur më 2 Dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë të Istogut dhe ka ndërruar jetë në Prishtinë më 21 Janar të vitit 2006.
Ibrahim Rugova shërbeu si Presidenti i Parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer nga viti 1992 deri në vitin 2000 dhe sërish nga viti 2002 deri në vdekjen e tij në vitin 2006. Ai mbikëqyri një luftë popullore për pavarësi, duke mbrojtur një rezistencë paqësore ndaj sundimit serbo–jugosllav dhe duke lobuar për mbështetjen e SHBA-së dhe Europës, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës./Njeshi&RADIO 1/