Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se pas ndryshimeve të fundit në Kodin e Procedurës Penale, është mundësuar aplikimi i gjykimit në mungesë edhe në rastet e veprave penale të natyrës së rëndë.
Këto ndryshime, sipas Haxhiut mund të aplikohen edhe për sulmin terrorist në BanjskëHaxhiu ka shkruar sonte se: “Millan Radoiçiq & Co. duhen gjykuar në Kosovë me ose pa ekstradim, sa më pare”.
“Pavarësisht kësaj mundësie ligjore, s’ka dyshim që vlera e dobia janë të shumëfishta kur kryeterroristi Millan Radojiçiq dhe 44 paramilitarët e tij, të dorëzohen në Republikën e Kosovës dhe të përballen drejtpërdrejt me drejtësinë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Sipas saj, Millan Radojiçiq është kryetar de facto i Listës Serbe. Ajo shton se “kjo u bë edhe më e qartë kur kryetari formal i saj, Zlatan Elek, u radhit si i shtati me numrin e votave në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe, pas marrjes së mandatit të deputetit, e detyruan të jap dorëheqje”.Haxhiu thotë se certifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e fundit ka qenë një gabim i rëndë dhe i pafalshëm.
“Saktësisht dy vite më parë, më 22 prill 2023, në paradën e Ushtrisë së Serbisë në Batajnicë, krahas Millan Radojiçiqit ishin të pranishëm edhe dy deputetët e Listës Serbe, Igor dhe Slavko Simiq, si dhe kryetarët Dalibor Jevtiq dhe Goran Rakiq. Atë ditë po ekspozohej edhe sistemi kinez FK-3, pikërisht në vendin ku janë ekshumuar 744 shqiptarë nga varreza masive. Këto fakte dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimin e strukturave të Listës Serbe në sulmet terroriste dhe kundër rendit kushtetues në Kosovë”, shkruan ajo.Ajo në fund ka thënë se “Millan Radoiçiq & Co. duhen gjykuar në Kosovë me ose pa ekstradim, sa më pare”.
Tri ditë më parë, Gjykata Themelore Prishtinë ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale për procedim të gjykimit në mungesë në rastin e sulmit terrorist në Banjska të Zveçanit.
Ndryshe, për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, kishin reaguar institucione vendore dhe nga bashkësia ndërkombëtare.Ndaj këtij sulmi kanë reaguar edhe SHBA, BE dhe EULEX-i, duke kërkuar që autorët të kapen dhe të nxirren para drejtësisë./Njeshi/