Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pret që Kuvendi i Kosovës të votojë Projektligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë para se të shkohet në zgjedhje të përgjithshme, të cilat do të mbahen më 9 shkurt.
Ajo tha se është e “qartë që ky ligj po i pengon, sidomos opozitës, e cila tenton ta krijojë një situatë që çfarëdo që ka ndodhur në Kosovë në të kaluarën nuk duhet të merremi me të”.
“Më duhet të theksoj që ky është një nga ligjet më të rëndësishme që ndërlidhen me luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, por është evidente, pra shumë e qartë që ky ligj po i pengon, sidomos opozitës, e cila tenton ta krijojë një situatë që çfarëdo që ka ndodhur në Kosovë në të kaluarën nuk duhet të merremi me të, por ja që ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë, me qëllim të kalimit të këtij ligji në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne e kemi mbështetjen e mazhorancës për këtë, por sigurisht që kur bëhet fjalë për tema që ndërlidhen me luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, reformën në drejtësi, do duhej të ishim bashkë, por duket që ata që në vazhdimësi, kanë keqqeverisur, kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme reformat ju pengojnë, tentojnë që ta mirëmbajnë gjendjen e cila ka qenë , por që reformat do të ndodhin, byroja do të ndodhë dhe secili që ka krijuar pasuri të pajustifikueshme do të japë përgjegjësi për këtë”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi faktin se në Kosovë ka zyrtarë të cilët me pagën e tyre janë bërë milionerë, me shtëpi nëpër bregdete dhe pasuri të shumta, për çka tha se me adresimin e deritanishëm të konceptit të konfiskimit fiskal janë trajtuar vetëm gjashtë raste.
“Pra, në Kosovë e dinë të gjithë që janë bërë milionerë vetëm duke mbajtur pozitën zyrtare edhe nga praktika, edhe nga përvoja, po ju them që nuk ka asnjë mundësi që një zyrtar që merr pagë një mijë e pesëqind euro ose dy mijë euro të krijojë pasuri në paluajtshme, qoftë në Kosovë apo jashtë Kosove, sidomos në ve vendet bregdetare, në Shqipëri dhe jo vetëm, në Mal të Zi por edhe në vendet tjera. Prandaj, është evidente që ka pasur probleme shumë serioze me përfshirjen në aferat korruptive të zyrtarëve dhe të qeverive të kaluara, por mendoj që ata të cilët kanë menduar që nuk do të adresohet ky fenomen, ky problem, kanë gabuar, sepse ne jemi duke dhënë apo duke bërë përpjekje maksimale që ta krijojmë një institucion, duke qenë që adresimi i konceptit të konfiskimit penal ka dështuar, vetëm gjashtë raste janë adresuar me ligjin që është në fuqi prandaj kemi konsideruar që është shumë e rëndësishme që të bëhet ky vlerësim i pasurisë, pra të ardhurave të zyrtarit dhe në anën tjetër pasurisë që kanë, në mënyrë që të verifikohet nëse ajo pasuri është e ligjshme”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë u shpreh e bindur se ligji do të kalojë në Kuvendi para shpërbërjes së zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Unë mund të them që byroja do të kalojë para se ne ë të shkojmë në zgjedhje. Besoj që edhe është e rëndësishme, edhe është e duhur, edhe mendoj që deputetët e Kuvendit duhet të jenë në krye të detyrës”, tha ministrja Haxhiu./Njeshi/