Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka nënshkruar kontratën në vlerë mbi 814 mijë euro për renovimin e objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Kjo është bërë e ditur nga vet Haxhiu përmes një postimi të bërë në Facebook ku ka thënë se ky investin po bëhet për herë të parë dhe do të mundësojë transformimin e hapësirës së brendshme.
“Sot nënshkrova kontratën për renovimin e objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, me një vlerë prej 814,229.72 euro. Ky investim po bëhet për herë të parë dhe do të mundësojë transformimin e plotë të hapësirës së brendshme, duke përfshirë renovimin e laboratorëve, sallave të autopsisë, kulmit dhe zyrave të punës”, ka shkruar Ministrja Haxhiu.
Tutje ajo ka thënë se do të ndërohet një institut që i përmbush standardet më të larta teknike dhe funksionale dhe që rrit sigurinë e shërbimeve për qytetarët.
“Përmes këtij projekti, po ndërtojmë një institut që jo vetëm që përmbush standardet më të larta teknike dhe funksionale, por edhe rrit sigurinë dhe efikasitetin e shërbimeve për qytetarët.
Ky është një hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës mjeko-ligjore, duke garantuar shërbime moderne dhe cilësore në të gjitha rastet”, ka shkruar Haxhiu./Njeshi/