Maqedonia e Veriut ka shpallur shtatë ditë zie për 59 viktimat e tragjedisë në Koçan. U bë e ditur se 84 pacientë po trajtohen në Shkup dhe 51 të tjerë janë dërguar jashtë vendit, 20 prej tyre në gjendje kritike.
Kryeministri Hristian Mickoski siguroi se hetimi do të jetë i pamëshirshëm ndaj përgjegjësve, duke njoftuar se janë arrestuar 23 të dyshuar. Ndërsa, ka dhënë dorëheqje kryetari i komunës së Koçanit, Lupço Papazov.
Maqedonia e Veriut ka filluar sot zinë shtatëditore në nderim të 59 viktimave të tragjedisë së Koçanit.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njoftoi sot se 84 pacientë po trajtohen nëpër klinikat e Shkupit dhe 51 pacientë janë dërguar jashtë vendit.“Siç thash 20 pacientë janë në gjendje kritike dhe mund të kenë komplikime. Në ditët në vijim pritet të ketë pacientë të rinj që do të paraqiten për trajtim mjekësor”, tha Taravari.
Kryeministri Mickoski theksoi se hetimi do të jetë i plotë dhe i pamëshirshëm ndaj atyre që janë përgjegjës.
“Nuk ka vend për politikë në këtë çështje. Do të përgjigjeni të gjithë, dhe nuk do të ketë mëshirë. Ata që kanë guximin të bëjnë politikë në kurriz të qytetarëve dhe jetëve të humbura të fëmijëve, do të përballen me pasojat”, tha Mickoski.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një konferencë për medie deklaroi se deri më tani janë mbi 23 persona të dyshuar lidhur me fatkeqësinë e zjarrit në diskotekën e Koçanit dhe se 11 nga të dyshuarit janë në paraburgim. Ai theksoi se sot janë ndaluar edhe 5 persona, ku në mesin e tyre është edhe një ish ministër, të cilët po përgjigjen para organeve kompetente./Njeshi/