Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për Demostat ka folur për Serbinë dhe mundësinë e anëtarësimit të shtetit serb në NATO. Hill ka thënë se është shumë e rëndësishme që një shtet të anëtarësohet në NATO meqë siguria ndahet me të tjerët, trasnmeton Express.
Hill ka shtuar se SHBA dhe BE janë të interesuara ta ndihmojnë Serbinë që të rivendos sovranitetin e saj energjetik dhe të mos lejojë një situatë ku Rusia e përdor çështjen e energjisë si mjet politik.
“Mendoj se SHBA-të dhe sinqerisht Bashkimi Evropian janë shumë të interesuara të ndihmojnë Serbinë të rivendosë sovranitetin e saj në sektorin e energjisë. Serbisë prej vitesh i është dashur të marrë hua ose të blejë energji nga vende të tjera. Kjo nuk është e keqe në vetvete, por Serbia nuk duhet të gjendet në një situatë ku Rusia e përdor energjinë si mjet politik. Mendoj se po vjen koha kur nuk do të jetë më kështu”, ka deklaruar ambasadori Hill.
I pyetur se çfarë përfitimesh do të kishte Serbia nga anëtarësimi në NATO, ai u përgjigj se “çështja kryesore e mbrojtjes është, siç e pamë në këtë konflikt të tmerrshëm të shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, se është shumë e vështirë të luftosh në mënyrë të pavarur. Është mirë të kesh miq, të kesh aleatë. Do të ishte e rëndësishme që Serbia të kishte aleatë, që në thelb do të nënkuptonte se asnjë vend nuk do të dëshironte të sulmonte Serbinë, sepse do të kishte aleatë të NATO-s. Parimi bazë i NATO-s është, natyrisht, që një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve. Është thelbi i aleancës. Por përsëri, kjo është diçka që varet nga vendimi i qytetarëve të Serbisë. Unë nuk dua të promovoj NATO-n; qytetarët mund të informohen, të mendojnë dhe të dëgjojnë. Ata nuk kanë nevojë për diplomatë të huaj për t’u thënë se çfarë të bëjnë.” , ka thënë Hill.
Ai shtoi se vendimi për anëtarësim në NATO duhet të merret nga Serbia, por se “ne do të donim që Serbia të jetë jo vetëm miku dhe partneri ynë, siç është tashmë, por kur qytetarët e Serbisë ta konsiderojnë atë dhe përfundimisht të bëhet anëtare. të NATO-s. Ju siguroj se do të ishim shumë të interesuar për këtë”./Njeshi/