Holanda mirëpret marrëveshjen që kanë arritur Serbia dhe Kosova në Ohër më 18 mars.
Kështu është shprehur zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Holandës, Tessa van Staden.
“Ky është një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për stabilitetin në rajon. Është thelbësore që të dyja palët t’i përmbahen tani marrëveshjeve të arritura dhe të zbatojnë me lehtësi dhe mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse”, ka deklaruar van Staden.
Ditë më parë, mediat në Beograd raportuan se kryeministri holandez, Mark Rutte, ka kërkuar nga deputetët e parlamentit të vendit të tij që t’i bëjnë presion Serbisë që t’i vë sanksione Rusisë.
Zëdhënësja e MPJ-së holandeze nuk e konfirmoi por as e mohoi këtë çështje, por theksoi se Holanda vazhdimisht kërkon nga Serbia që të harmonizojë politikën e saj të jashtme me të BE-së.
“Gjatë debatit në Parlament, Kryeministri Rutte theksoi rëndësinë që vendet kandidate për në BE të përafrojnë politikën e tyre të jashtme me Politikën e Përbashkët të Sigurisë së Jashtme të BE-së (CFSP). Në lidhje me luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Holanda e sheh shqetësuese që Serbia nuk e ka rritur shtrirjen e saj me CFSP-në si rezultat i luftës, për shembull duke miratuar sanksionet kundër Rusisë. Holanda, si dhe BE-ja, e adresojnë këtë rregullisht me Serbinë në të gjitha nivelet”, ka thënë zëdhënësja e MPJ-së holandeze për Klankosova.tv.
Kryeministri Rutte, theksoi von Staden, e diskutoi këtë edhe gjatë takimit të tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Tiranë gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor në dhjetor 2022.
Kujtojmë se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk i ka vënë sanksione Rusisë pas invazionit të saj në Ukrainë./Njeshi/