26 C
Pec
E shtunë, 22 Qershor, 2024

Hoti: Bordi i Trustit Pensional pa anëtarin nga Sindikatat, Qeveria Kurti po nëpërkëmbë të drejtat sindikale

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Avdullah Hoti ka thënë sot se mosemërimi për gati një vit i anëtarit nga sindikatat në Bordin e Trustit Pensional është shkelje ligjore, që nuk duhet të kaloj pa dhënë përgjegjësi nga shkelësit e ligjit.

Hoti në një postim në Facebook shkruan se të drejtat sindikale në Kosovë janë nëpërkëmbur nga Qeveria Kurti në vazhdimësi.

“Reagimi i fundit i IKD-së është dëshmi shtesë për këtë. Një anëtar i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale, i cili përfaqëson punëtorët dhe vjen nga sindikatat, nuk u emërua asnjëherë.

Fillimisht, Trusti u la pa bord për disa muaj, ku për pasojë miliarda euro mbetën pa menaxhim adekuat. Kur u emërua bordi para gati një viti, nuk u përfshi edhe anëtari nga sindikatat. Arsyet që u dhanë për këtë ishin se asnjëri nga aplikantët nuk i plotësonte kushtet ligjore. Nga ajo kohë nuk është rishpallur konkursi”, thekson deputeti i LDK-së.

Sipas tij, përgjegjës për këtë neglizhencë janë Guvernatori i BQK-së, Ministri i Financave dhe Auditorja e Përgjithshme.

“Këta tre zyrtarë të lartë të shtetit, që përfaqësojnë shtyllat e institucioneve që menaxhojnë e mbikëqyrin çështjet ekonomike e financiare në Kosovë, e kanë neglizhuar obligimin e tyre ligjor që punëtorët të kenë përfaqësuesin e tyre në Bordin e që menaxhon kursimet e tyre pensionale.

Kjo neglizhencë nuk ka si të mos jetë e qëllimshme. Gjatë gjithë mandatit të kësaj qeverie, sindikatat janë luftuar e janë neglizhuar. Ato nuk janë marrë parasysh në përgatitjen e ligjit të pagave, e as të ligjit për zyrtarët publik. Të dyja këto ligje kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese dhe është dashur të ndryshohen”, thekson tutje ai.

Ish-ministri i Financave tutje thotë se gjatë mandatit të kësaj qeverie, e cila veten e quan të majtë, ka rënë organizimi sindikal dhe kjo sipas tij, dëshmohet nga përgjysmimi i pagesave të anëtarësisë në sindikata, që ka ardhur nga presioni i qeverisë ndaj sindikatave në nivele të ndryshme të organizimit sindikal dhe në forma të ndryshme.

“Sindikatat sot kanë të drejtë të padisin shtetin dhe këta tre zyrtarë për shkelje të ligjit. Neglizhenca për zbatim të ligjit është shkelje e ligjit, dhe shkelja e ligjit është vepër penale”, thotë ai. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...