27.8 C
Pec
E enjte, 25 Korrik, 2024

Hoti: Kosova po bëhet atraktive për turistët ndërkombëtar

Kosova e ka përmbyllur vitin 2023 me një rritje mbresëlënëse të numrit të turistëve, duke regjistruar një rritje prej 28.6 përqind. Ky trend pozitiv, sipas drejtorit ekzekutiv të Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, ka vazhduar edhe në fillim të vitit 2024, ku në janar dhe shkurt është shënuar një rritje mbi 50.8 përqind.

E muaji i fundit, sipas tij, ka treguar një rritje të mëtejshme prej 22.4 përqind të turistëve ndërkombëtar.

Hoti thotë se ky sukses reflekton përpjekjet e tyre të vazhdueshme për përfshirjen e Kosovës në paketat turistike ballkanike dhe evropiane.

“E veçanta e kësaj është rritja e netëqëndrimeve, pra vizitorët tashmë kanë filluar të qëndrojnë në vendin tonë. Kosova nuk është më thjesht një rrugë tranziti, por është bërë një destinacion atraktiv turistik”, theksoi Hoti në një intervistë në “Mirëmengjesi Kosovë” në RTK.

Ai tutje ka thënë se Prishtina po shndërrohet në një destinacion tërheqës për turistët falë numrit të shtuar të aktiviteteve dhe atraksioneve.

“Gjatë vikendeve por edhe gjatë javës, kryeqyteti ofron një varg të gjerë aktivitetesh për vizitorët dhe kjo ka ndikuar në rritjen e numrit të vizitorëve”, shtoi ai.

Ndër atraksionet kryesore në Prishtinë për vizitorët sipas Hotit janë Muzeu i Kosovës, xhamitë historike, Biblioteka Kombëtare, Katedralja, Newborn, sheshi Zahir Pajaziti dhe Parku i Gërmisë. Prishtina po ashtu sips tij njihet për jetën e natës, duke ofruar një përvojë të gjallë dhe dinamike për turistët.

Tutje ai ka bërë të ditur se turistët që vizitojnë Kosovën vijnë nga një varg vendesh, varësisht nga sezoni.

“Gjatë muajve të parë të vitit, Kosova ka pritur grupe turistike nga Shqipëria, ndërsa tani ka një rritje të vizitorëve nga Gjermania, Franca, Zvicra, Italia, Anglia dhe shtetet aziatike. Po ashtu, shumë turistë që kanë Shqipërinë si destinacion kryesor gjatë verës, e përfshijnë edhe Kosovën në itinerarin e tyre”, theksoi Hoti.

Megjithatë, Hoti vuri në dukje edhe mungesën e një Zyre Informative të Turizmit në kryeqytet, e që sipas tij është një nga kërkesat urgjente të cilat duhet të realizohet nga Komuna e Prishtinës. Sipas Hotit, kjo pikë është kyçe për ofrimin e informacioneve rreth atraksioneve, akomodimit dhe kërkesave të tjera që kanë turistët. RTK/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...