Deputeti i kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti është shprehur se ndryshimi i Ligjit për skemat pensionale është i domosdoshëm dhe duhet ta procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës pa asnjë vonesë.
Hoti përmes një postimi në llogarinë e tij në Faceboook ka thënë se i jep të drejtë SBASHK-ut, që dorëzoi sot në Kuvend peticionin me 20 mijë e 458 nënshkrime të qytetarëve për ndryshimin dhe plotësimin e “Ligjit për skemat pensionale”.
“Ky ligj duhet të ndryshohet pasi cenon të drejtën e shumë punëtorëve lidhur me përvojën e punës për shkak të viteve të 90-ta. Secilit duhet t’i njihet e drejta për pension të dinjitetshëm”, ka shkruar Hoti.
Ai ka thënë se të gjithë të që arrijnë vitet e duhura të përvojës së punës duhet të gëzojnë pensionin përkatës.
“Të gjithë të punësuarit që arrijnë vitet e duhura të përvojë së punës duhet të gëzojnë pensionin përkatës, e jo të mbesin vetëm me pensionin e pleqërisë pas gjithë atyre viteve punë”.
“Është obligim i të gjithë deputetëve që sa më shpejt ta miratojmë këtë ligj dhe tu mundësojmë pensione atyre që kanë shërbyer në kohët më të vështira për vendin”, përfundoi Hoti. /Njeshi/