21.9 C
Pec
E shtunë, 15 Qershor, 2024

Hovenier: Kosova urgjentisht të dërgojë draft-statutit e Asociacionit në Kushtetuese

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë po aq fuqishëm, si gjithmonë, me Kosovën për ta parë atë duke zënë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Në një intervistë për RTK-në Hovenier tha se “vendi i Kosovës është në strukturat evropiane dhe euroatlantike” dhe shtoi me theks të qartë që “Kosova duhet të jetë anëtare e BE-së, Kosova duhet të jetë anëtare e NATO-s, dhe Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.”

Në kohën e një serie zhvillimesh kyçe për Kosovën në arenën ndërkombëtare, përfshirë aplikimin e saj të fundit për anëtarësim në Këshillin e Evropës që nuk u përfshi në rend dite, Hovenier shprehu zhgënjimin e tij.

Ai sqaroi se, pavarësisht nga kjo  është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa shtesë për të avancuar kërkesën e saj për anëtarësim – një proces që nuk ndodh “vetvetiu, automatikisht,” dhe kërkon angazhimin dhe veprimet e duhura nga liderët e Kosovës.

Ambasadori shtoi se SHBA-të janë vëzhgues në Këshillin e Evropës dhe nuk kanë një votë aty, por vazhdojnë të ofrojnë këshilla të vlefshme për qeverinë e Kosovës.

Hovenier theksoi rëndësinë e veprimeve të “vështira” që synojnë të sigurojnë një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës si dhe realizimin e synimeve të saj të anëtarësimit në strukturat ndërkombëtare.

Ambasadori amerikan ritheksoi se Kosova urgjentisht duhet të dërgojë draft-statutit e Asociacionit në Kushtetuese për vlerësim.

Në kohën kur po flasim në Kosovë kanë ndodhur shumë zhvillime. Kosova nuk arriti të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Si i shihni ditët në vijim lidhur me rrugëtimin e Kosovës drejt kësaj organizate?

Hovenier: Faleminderit për këtë pyetje, sepse më lejon të shpreh diçka vërtet të rëndësishme që do të dëshiroja që të gjithë shikuesit tuaj ta dinë dhe kjo është, para së gjithash, se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë po aq fuqishëm, si gjithmonë, me popullin e Kosovës në këtë projekt për ta parë Kosovën duke zënë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Gjatë vizitës së saj në fundjavë, nënsekretarja jonë e Shtetit për Çështjet Publike tha se ne besojmë se vendi i Kosovës është në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Kjo do të thotë se ne besojmë se Kosova duhet të jetë anëtare e BE-së, Kosova duhet të jetë anëtare e NATO-s, se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.

Natyrisht, këto gjëra nuk ndodhin vetvetiu, automatikisht, dhe një pjesë e punës sonë diplomatike është të ndihmojmë qeverinë e Kosovës që të bëjë gjërat e nevojshme për të shtyrë përpara çështjen e anëtarësimit dhe kjo na sjell tani në çështjen e Këshillit të Evropës.

Siç e thatë edhe ju, javën e kaluar është mbajtur një takim i Këshillit të Evropës, por aplikimi i Kosovës për anëtarësim nuk u përfshi në rend dite. Nga këndvështrimi ynë, është për të ardhur keq. Siç thashë, ne do të dëshironim ta shohim Kosovën anëtare, por kjo do të thotë se Qeveria e Kosovës ndoshta duhet të ndërmarrë veprime shtesë përtej veprimeve të ndërmarra deri më tani në mënyrë që kjo të realizohet. Ne nuk votojmë aty. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërqeveritare që nuk përfshin qeverinë time. Ne jemi vëzhgues në të, por këshilla jonë për qeverinë e Kosovës, si dhe këshilla e partnerëve tanë evropianë, ka qenë që t’i bëjë gjërat e vështira që po iu kërkohen, të cilat besojmë se do të jenë në dobi të popullit të Kosovës për të mundësuar anëtarësimin.

Pra, a ka ende shpresë se mund të arrihet qëllimi?

Hovenier: Natyrisht, ka shpresë se qëllimi mund të arrihet dhe kam besim se në të ardhmen do ta shohim Kosovën si anëtare të plotë të Këshillit të Evropës. Por, dua të theksoj përsëri kjo nuk do të thotë se kjo do të ndodhë automatikisht. Ka disa gjëra specifike që qeveria ende duhet t’i bëjë, që ia kanë kërkuar partnerët dhe miqtë e saj. Më duhet të them se nga këndvështrimi i SHBA-së, këshilla jonë për qeverinë ka qenë të ndërmarrë veprimet e kërkuara nga vendet e tjera në Këshillin e Evropës për të treguar angazhimin e saj të qartë dhe të vendosur ndaj të drejtave të pakicave. Shumë anëtare të Këshillit të Evropës i kanë kërkuar Kosovës që të ndërmarrë hapin që të dërgojë draftin e propozuar të BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Dhe lidhur me këtë, mendoj se shumë shtete evropiane kanë sugjeruar se do të jenë të përgatitur të marrin parasysh dhe ta shqyrtojnë pozitivisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ne e nxisim ndërmarrjen e këtij hapi, e inkurajojmë Kosovën të bëjë çka duhet të bëjë për të marrë atë votë pozitive. Ne duam të jemi avokues të fortë dhe efektivë për Kosovën, por kjo do të thotë se qeveria duhet të bëjë gjëra që na lejojnë të jemi avokues të fortë dhe efektivë.

Z. ambasador, pak para votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ishte zoti Escobar i pari që theksoi se Kosova ende nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet, duke përmendur Asociacionin. Mendoni se Kosova e ka keqkuptuar këtë porosi apo nuk ka dashur ta kuptojë?

Hovenier: Pra, nuk mendoj se më takon mua të them nëse qeveria e kuptoi apo zgjodhi të mos e kuptojë, thjesht, shpresoj që qeveria njëmend e kupton atë. Dhe ajo që dua është që qeveria të kuptojë janë dy gjëra. E para, Kosova ka shumë miq dhe ata miq duan ta shohin Kosovën në organizata si Këshilli i Evropës, por e dyta, ata miq duan të shohin vendin duke ndërmarrë veprime shtesë në mënyrë që të jenë të bindur për përkushtimin e vendit ndaj të drejtave të pakicave dhe të drejtave të njeriut. Një nga mënyrat më të dukshme për të bërë këtë e që e kemi rekomanduar të gjithë , është ndërmarrja e këtij hapi të rëndësishëm të dërgimit të këtij drafti të BE-së të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Na duket se kjo është një gjë e rëndësishme për Kosovën, pa iu referuar Këshillit të Evropës, sepse do të ndihmojë për të siguruar mbrojtje të duhur për komunitetin etnik serb në Kosovë, por gjithashtu zhbllokon dhe hap këtë rrugëtimin në të cilin duam ta shohim Kosovën.

Hovenier: Ne pajtohemi që në Kosovë të mos ketë një Republikë Serbe

Po, lidhur me këtë, në ditën e votimit në Këshillin e Evropës, Ministrja e Jashtme e  Kosovës premtoi se drafti i marrëveshjes së Asociimit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuesederi në fund të majit. A keni ndonjë tregues se kjo do të ndodhë dhe a keni folur me qeverinë e Kosovës për këtë premtim?

Hovenier:Sa e kam kuptuar unë, edhe pse ajo ofertë është bërë në një letër që zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Jashtme, Gërvalla, ua ka dërguar autoriteteve të Këshillit të Evropës, në ndërkohë ajo, gjithashtu, ka thënë që kjo ofertë nuk është më relevante apo mendoj nuk është më në tavolinë. Lidhur me pyetjen se cili draft dhe si dërgohet më tej, kjo është çështje e rëndësishme dhe padyshim që është një zgjedhje sovrane e qeverisë së Kosovës, se çfarë statuti zgjedh të hartojë dhe si e çfarë do të kërkojë të miratojë apo dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Por do të them se drafti i ofruar nga Bashkimi Evropian, ky draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ofron një sërë përparësish unike dhe të rëndësishme. Fillimisht ajo iu prezantua Kosovës nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, në emër të Bashkimit Evropian, por në praninë e zyrtarëve shumë të lartë nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – vende që do të dëshironit të mbështetnin Kosovën në aplikimin e saj për anëtarësim. Së dyti, Bashkimi Evropian si BE ka thënë se e miraton statutin. Pra, ju keni këtë draft statut që ka mbështetjen e plotë të SHBA-së, Bashkimit Evropian, shteteve individuale anëtare të BE-së, i cili nuk është kundërshtuar nga Serbia. Të gjithë kemi thënë se ky draft i përmbush kërkesat. Kosova është zotuar qysh në vitin 2013 për të krijuar këtë Asociacion. Ky draft do të përmbushë kërkesat dhe edhe diçka tjetër, besojmë fuqimisht se është bërë në një mënyrë që respekton shqetësimet e identifikuara nga qeveria e Kosovës. Ne pajtohemi që në Kosovë të mos ketë një Republikë Serbe. Pajtohemi që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos ketë autoritet ekzekutiv; nuk duhet të krijojë një shtresë të re të qeverisë; nuk duhet të pengojë funksionimin e mirë të shtetit kosovar dhe duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën aktuale të Kosovës. Ky draft besojmë se i përmbush të gjitha këto. Ka disa që argumentojnë se ky draft-statut duhet të përmirësohet ose ndoshta nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kjo është arsyeja pse e vetmja gjë që po kërkojmë nga Kosova të bëjë është që ta dërgojë atë tek ky organ, te organi i vetëm në planet që ka autoritetin dhe kompetencat aktuale për të përcaktuar nëse është në përputhje me Kushtetutën apo jo – GjykataKushtetuese e Republikës së Kosovës. Kjo është ajo që po kërkojmë. Tani, ne të gjithë do të respektojmë rezultatin e atij procesi. Të gjithë do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Duke pasur parasysh të gjitha ato përparësi, është e vështirë për ne të kuptojmë përse qeveria mund të dëshirojë të shqyrtojë një draft tjetër që ndoshta nuk do të ofrojë të gjitha përparësitë që i përmenda më lart. Pra, shpresojmë në përpjekjet tona për ta parë Kosovën të përparojë në rrugën e saj evropiane, që qeveria të marrë parasysh këshillat tona.

Pra, ky hap është i domosdoshëm për Kosovën? Domethënë, Asociacioni.

Hovenier: Po. Shtetet e Bashkuara e kanë thënë vazhdimisht publikisht për një kohë shumë të gjatë dhe në administrata të ndryshme. Partnerët tanë evropianë e kanë thënë publikisht për një kohë shumë të gjatë. Kosova mori zotimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Është bërë në dialogun e lehtësuar nga BE. Ne besojmë fuqishëm se të gjitha obligimet e Kosovës dhe Serbisë në dialog janë të detyrueshme dhe ky është një prej tyre. Dhe po, ashtu siç presim që Serbia të përmbushë të gjitha obligimet e saj në kuadër të dialogut, presim që edhe Kosova të përmbushë të gjitha obligimet e saj. Dhe sipas këndvështrimit tonë, për Kosovën kjo urgjentisht përfshin lëvizjen përpara me Asociacionin, dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim kushtetues.

Zoti ambasador, kryeministri Kurti është akuzuar se në vend të njohjes reciproke ka reduktuar diskutimet për autonomi të serbëve. A është njohja reciproke ende në krye të marrëveshjes së normalizimitpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Hovenier: Po, ky është absolutisht qëllimi ynë i dëshiruar që rezultati i këtij procesi, kur të ketë mbaruar, të jetë njohja reciproke, dhe besojmë se ky është i vetmi rezultat i mundur. Ky është qëndrimi i administratës Biden për një kohë të gjatë. Ne flasim për njohjen e ndërsjellë që do të ndodhë dikur sepse nuk mendojmë se do të ndodhë tani. Kemi pasur dëshirë të ndodhë dhe duhet të ndodhë dhe besojmë se asnjëri vend nuk do të integrohet realisht në të gjitha institucionet evropiane dhe euroatlantike pa njohje reciproke. Tani për tani ajo për të cilën po punojmë dhe për të cilën folëm vitin e kaluar në kohën e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit është një hap i përkohshëm, një rrugë përpara dhe përkushtim, një sërë angazhimesh dhe detyrimesh që do të ri-poziciononin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës. dhe Serbisë, në mënyrë që ata të mos shqetësohen për kërcënimet e sigurisë nga njëri-tjetri, të mund të ndalojnë së shqetësuari për gjëra të tilla si targat dhe kartat e identitetit dhe të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore dhe t’i lejojnë të dy vendet të vazhdojnë me punë të rëndësishme që u lejon atyre të integrohen në strukturat evropiane. Por, nuk duhet të ketë dyshim se këndvështrimi ynë afatgjatë është i qartë dhe nuk ka ndryshuar.

Hovenier: SHBA e Kosova gëzojnë të marrëdhënie veçantë, jemi krenarë për këtë

Po. Kërkesa juaj e vazhdueshme ka qenë edhe thirrja që qeveria e Kosovës të punojë në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A po e bën Kosova këtë pasi që SHBA-ja është aleati dhe mbështetësi më i madh i vendit tonë.

Hovenier: Shikoni, ne mendojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova gëzojnë një marrëdhënie të veçantë. Dhe është e qartë se edhe populli i Kosovës e mendon këtë. Dhe, ne jemi krenarë për këtë, dhe ndjej se – nuk dua të flas për popullin e Kosovës, por reagimet që marr janë se njerëzit janë gjithashtu krenarë për partneritetin e tyre me ne. Është një marrëdhënie e veçantë dhe për shkak se është një marrëdhënie e veçantë, si dhe për shkak se jemi miq kaq të mirë, siç tha edhe nënsekretarja Allen gjatë fundjavës, ndonjëherë duhet të kemi biseda të vështira dhe bisedat e vështira ndonjëherë janë më të vështira brenda familjeve ose me të dashurit sesa me të tjerët. Por, është edhe shenjë respekti që t’i kesh këto biseda të vështira që i bëjmë gjatë gjithë kohës. Pra, nuk është kurrfarë sekreti se qeveria e Shteteve të Bashkuara dëshiron të shohë në disa fusha bashkëpunim më të ngushtë me qeverinë e kryeministrit Kurti. E themi hapur këtë dhe më lejoni vetëm një shembull të fundit. Unë nuk kam planifikuar domosdoshmërish të flas për këtë, por ka pasur edhe një çështje tjetër pikërisht këtë javë në të cilën Policia e Kosovës, me udhëzimin e Ministrit të Brendshëm, kreu operacione në veri të Kosovës në mënyra që ne menduam se nuk kontribuuan në synimet tona afatgjata të përbashkëta për stabilitetin dhe sigurinë që gjërat të bëheshin në një mënyrë që çojnë përpara dialogun dhe rrugën euroatlantike të Kosovës. Ne i ngritëm shqetësimet tona. Por, rezultati i këtij operacioni që qeveria e vijoi – dhe e bëri këtë veprim policor në një mënyrë që ne menduam se nuk ishte i koordinuar dhe që vinte në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për zgjidhjen e disa çështjeve në dialog – rezultoime deklarata publike nga Shtetet e Bashkuara, nga Bashkimi Evropian, shtetet individuale anëtare të BE-së, misioni i NATO-s, misioni i OSBE-së, të tjerët – të gjithë pak a shumë thanë të njëjtën gjë: kjo nuk është mirë për Kosovën. Ne duam ta shohim Kosovën përpara dhe pa marrë parasysh a pajtoheni me interpretimin tonë apo me interpretimin e qeverisë për këtë veprim, nëse Kosova dëshiron të ecë drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike,ajo duhet të kenë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, shteteve individuale të BE-së, misionit të OSBE-së, NATO – pikërisht të këtyre institucioneve në të cilat Kosova dëshiron të anëtarësohet. Pra, ne duam që qeveria të punojë me ne. Ne pajtohemi me përgjegjësinë e qeverisë për të ushtruar sovranitet mbi tërë territorin e saj. Në këtë rast, ne jemi dakord që Banka Qendrore duhet të rregullojë institucionet financiare, por mënyra se si bëhet kjo duhet të jetë koordinim me ne për t’u siguruar që veprimet nuk vënë domosdoshmërish në pikëpyetje ose nuk pengojnë diskutimet e vazhdueshme në dialog apo nuk krijojnë sfida apo japin sinjale shtesë për një komunitet pakicë. Ne duam atë nivel bashkëpunimi. Shpresoj se do ta kemi atë, por duhet të them se më është dashur ta them këtë disa herë dhe nuk e kam parë ende atë rritje në bashkëpunim që shpresojmë ta shohim./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...