21.5 C
Pec
E martë, 21 Maj, 2024

Hovenier përkujton Albright, Gibbs dhe Reichert që me kontributin e tyre i dhanë fund regjimit të Millosheviqit në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është bashkuar ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, në ceremoninë e dedikimit të sallave të konferencave në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për nder të ish-sekretares Madeleine K.Albright, nënoficerit të lartë David A. Gibbs dhe nënoficerit të lartë Kevin L. Reichert më 30 prill.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, zyrtarisht i dedikoi tri salla të konferencave në ambasadën amerikane për të lartëpërmendurit.

Ky dedikim u bë gjatë një ceremonie në të cilën morën pjesë presidentja kosovare Vjosa Osmani dhe anëtarë të familjeve të nënoficerëve të lartë Gibbs dhe Reichert, mysafirë të nderuar dhe stafi i ambasadës.

Me emërimin e këtyre sallave të konferencave u shpreh mirënjohje për kontributin e këtyre tre individëve për avancimin e përpjekjeve të qeverisë amerikane për t’i dhënë fund fushatës së regjimit të Millosheviqit të spastrimit etnik në Kosovë.

“Përkushtimi i thellë i sekretares Albright ndaj Kosovës dhe përpjekjet e saj të palodhshme ia mundësuan qytetarëve kosovarë të ktheheshin në shtëpitë e tyre, të rindërtonin jetën e tyre dhe të zhvillonin vendin e tyre të lirë, të pavarur, shumetnik dhe demokratik”, thuhet në njoftimin e dërguar sot për media.

Nënoficerët e lartë Gibbs dhe Reichert u vranë më 5 maj 1999 ndërsa po mbështetnin fushatën ushtarake të udhëhequr nga NATO-ja.

Gjatë ceremonisë, ambasadori konfirmoi se ishte”i prekur dhe i privilegjuar që jemi mbledhur sot për të nderuar trashëgiminë e tre individëve që së bashku me aleatët tanë, në mënyrë domethënëse i kontribuuan përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit në Kosovë 25 vjet më parë”.

Presidentja Osmani tha se “Duke i dedikuar këto salla të konferencave, Departamenti i Shtetit, ambasadori Hovenier dhe stafi i shkëlqyeshëm në ambasadën e ShBA-së po bëjnë më shumë se vetëm emërimin e një hapësire. Ata po i ri-konfirmojnë vlerat dhe virtytet që secili prej këtyre individëve i mishëronte gjatë shërbimit të tyre ndaj ShBA-së, Kosovës dhe botës. Dhe është më se e drejtë që këto salla të emërohen për nder të sekretares Olbrajt, një kampione e popullit të Kosovës dhe kampione për demokraci, si dhe për nder të nënoficerëve të lartë Gibs dhe Rajkert, të cilët sakrifikuan jetën e tyre gjatë ndërhyrjes së NATO-s për të ndihmuar për të shpëtuar jetën e të tjerëve”.

E veja e nënoficerit të lartë Gibbs, Xhinë Gibbs, tha “Ambasador Hovenier, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time ndaj jush dhe ambasada amerikane për dedikimin e një salle të konferencave për nder të Dejvid Gibsit. Do të thotë shumë për mua dhe familjen time që kujtimi i tij jeton. Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen time për presidenten Osmani dhe shtetin e Kosovës për memorialin në kujtim të Dejvidit dhe Kevinit”./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...