Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dënuar ashpër sulmin që ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me ç’rast është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Ambasadori amerikan Jeff Hovenier përmes një shkrimi në X tha se ShBA-të po e monitorojnë situatën nga afër dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre për të siguruar që ata që janë përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi.
Po ashtu, ShBA-të kanë dënuar edhe sulmet e fundit me granata në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit më 28 nëntor.
“Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në solidaritet me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë këtyre sulmeve kriminale”, shkroi Hovenier./Njeshi/