Zv/Ministri i Ekonomisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës Getoar Mjeku, ka njoftuar lajmin se nga sot 06 shtator 2024, hyn në fuqi Ligji për investime të qëndrueshme.
Mjeku, thotë se e ka pasur për nderë të punojë dhe ta shtyej përpara këtë ligj mëse të domosdoshëm, e të vonuar për gati një vit nga vlerësimi i panevojshëm i kushtetutshmërisë.
Tutje numri dy i Ministrisë së Ekonomisë, Mjeku, ka sqaruar rëndësinë e këtij ligji.
Postimi i plotë:
‘Ligji për investime të qëndrueshme hyn sot në fuqi, i vonuar për gati një vit nga vlerësimi i panevojshëm i kushtetutshmërisë. Ka qenë nder me punu në draftet e hershme të këtij ligji dhe do të jetë kënaqësi me i pa frytet e tij.
Një agjenci e re shtetërore po themelohet me i nxitë investimet, me i mbrojtë investitorët në çdo hap të investimit dhe me përkrahë prodhimin e eksportet. Po hapet rruga për investime strategjike në sektorët prioritarë që u shërbejnë objektivave shtetërorë për zhvillimin e vendit. Po ndërtohet një rrjet i përfaqësuesve tanë tregtarë nëpër qendrat financiare të botës. Poashtu, po përsosen mjetet e punës së nisur kaherë për rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Republikës së Kosovës. Urime!’-shkruan Mjeku./RADIO 1/