Komuna e Gjilanit ka organizuar shtatë dëgjime për planifikimin e buxhetit 2024-2026, me gratë, rininë, fermerët, profesionistë të arsimit, të shëndetësisë dhe profesionistë të kulturës, sportit e personat me nevoja të veçanta.
Përmes një njoftimi për media nga kjo komunë, bëhet e ditur se kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, ka prezantuar kufijtë buxhetor për 3 vitet e ardhshme.
“Për vitin 2023 buxheti ishte tre milion euro me i lartë, ndërsa në vitin 2024 do të jetë rreth 37 milion euro, në vitin 2025 mendojmë se do të jetë 39 milion euro, derisa në vitin 2026 do të jetë 41 milion euro. Po ashtu, projekt buxheti përbëhet edhe nga grantet qeveritare. Ndërsa, në vitin 2023 kategoria paga dhe mëditje është struktura me më së shumti shpenzime si dhe kategoritë e tjera me radhë. Po ashtu, në planifikim janë edhe 1.5 milion për pagesën e borxheve të Komunës”, ka thënë Hyseni.
“Ne në këtë vit kemi shtuar edhe disa kategori të tjera që do të marrin kujdesin e Komunës së Gjilanit, pra kemi kategori te veçanta. Pra, kemi paraparë grante në të gjitha kategoritë dhe të gjitha kanë një rritje më të madhe të buxhetit krahasuar me atë që e kanë pasur deri më tash”, është shprehur ai.
Gjithashtu, Hyseni me bashkëpunëtorët u janë përgjigjur të gjitha kërkesave të qytetarëve, të cilat do të inkorporohen në planifikim të buxhetit me të gjitha mundësitë e Komunës së Gjilanit.
Ndërkohë, sipas njoftimit të martën pritet të mbahen edhe dy dëgjime, që janë të fundit në këtë cikël të dëgjimeve për planifikim të buxhetit: me komunitetet jo-shumicë dhe me këshillat lokalë të fshatrave./Njeshi/