Ish-deputeti demokrat Gerti Bogdani, i cili ndërroi jetë në moshën 44-vjeçare pas një arresti kardiak, u përcoll për në banesën e fundit nga familjarë, miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë.
Ceremonia e homazheve u zhvillua në hollin e parlamentit, ku politika u bashkua përtej dallimeve partiake, për të nderuar figurën e tij në një ceremoni zyrtare.
Dyert e parlamentit u hapën që në orën 10 të mëngjesit për të pritur ata që donin t’i jepnin lamtumirën.
Në ceremoni morën pjesë dhe krerët më të lartë të shtetit, ndërsa humbja e parakohshme e Bogdanit shkaktoi pikëllim të thellë, duke prekur njerëz nga të gjitha spektrat politike.
Pas homazheve, arkëmorti me trupin e tij u shoqërua nga të afërmit, miqtë dhe deputetët e Partisë Demokratike drejt varrezave të Sharrës.
Gerti Bogdani mbahet mend si një student ekselent, i cili la Shtetet e Bashkuara për t’u rikthyer në Shqipëri në vitin 2005 dhe për të filluar karrierën politike pranë Partisë Demokratike.
Ai u zgjodh kryetar i mini bashkisë nr. 10 në Tiranë në vitin 2007 dhe hyri për herë të parë në Kuvend si deputet në zgjedhjet e vitit 2009, mandat që e rinovoi në 2013.
Në Partinë Demokratike, Bogdani kishte një rol të rëndësishëm, duke drejtuar Forumin Rinor dhe mbajtur postin e Sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Ai ishte baba i dy vajzave nga martesa me aktivisten Edlira Çepani. /Njeshi/