Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Ismet Bahtijarit i cili së fundi ka pranuar fajësinë për pengim të drejtësisë.
Kjo u bë e ditur përmes një konference për media nga zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjatë kësaj konference, Griep tregoi edhe për zhvillimet që kanë ndodhur gjatë kësaj jave në të gjitha rastet e trajtuara nga kjo gjykatë.
Në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve për administrimit të drejtësisë, Griep tregoi se më 24 janar, Gjykatësja e Procedurës Paraprake miratoi pjesërisht një kërkesë të Mbrojtjes së Thaçit për zgjatje të afatit për ekipet e Mbrojtjes për dorëzim të mocioneve paraprake deri më 4 mars 2025.
“Sipas Rregullores i akuzuari mund të paraqesë mocione, për shembull, në lidhje me kundërshtim ndaj juridiksionit të Dhomave të Specializuara, pretendim për mangësi në aktakuzë, ose të kërkojë që një i akuzuar të gjykohet ndarazi dhe jo bashkërisht me të tjerët. Rregullorja përcakton se këto mocione paraprake duhet të dorëzohen brenda 30 ditësh pasi Prokuroria të ketë nxjerrë për Mbrojtjen të gjitha provat në të cilat mbështetet aktakuza. Afati i parë ishte më 7 shkurt 2025”, tha Griep.
Në të njëjtën çështje, Griep tregoi se më 27 janar 2025 u lëshua një vendim duke treguar se emërimi i David Young si avokat i Fadil Fazliut nuk përbën konflikt interesi pasi që ai ka qenë avokat i Rexhep Selimit ku akuzohet për krime lufte e që tashmë nuk e përfaqëson juridikisht.
“Gjykatësja e Procedurës Paraprake konstatoi se nuk ka ngjashmëri sa i përket kuadrit të akuzave në dy çështjet gjyqësore dhe mori parasysh faktin që z. Jang nuk është më Mbrojtës iz. Selimi. Paneli vuri në dukje gjithashtu se z. Jang kishte marrë pëlqimin e z. Selimi dhe z. Fazliu”, tha Griep.
Zëdhënësja e DhSK-së gjithashtu përmendi faktin se në të njëjtin vendim është hedh poshtë kërkesa e mbrojtjes së Fadil Fazliut që të zgjatet afati për t’u përgjigjur në të gjitha parashtrimet me arsyetimin se është privuar nga përfaqësimi juridik. Griep tha se gjyqtarja rikujtoi se Fazliu ka qenë gjatë gjithë kohës i përfaqësuar nga avokati kujdestar.
Kurse, më 28 janar 2025, Griep tregoi se Apeli hedhi poshtë ankesën e Isni Kilajt kundër vendimit gojor të gjyqtares së procedurës paraprake të 9 dhjetorit 2024, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij./Njeshi/