Në Pogradec ashtu si edhe në qytete të tjera të vendit, janë mbajtur mbrëmjen e së mërkurës homazhe për Egli Progën, 42-vjeçarin e vrarë barbarisht disa ditë më parë.
Dhjetëra qytetarë dhe familjarë të 42-vjeçarit kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj në vendin ku ai u gjet i dhunuar për vdekje mbrëmjen e 9 gushtit.
Motra e viktimës tha para të pranishmëve dhe mediave se nuk do të heqë dorë derisa të vërë në vend drejtësinë për vëllanë e saj.
Ajo iu bëri thirrje qytetarëve të Pogradecit dhe kujtdo që ka dijeni për ngjarjen të flasë, të tregojë gjithçka di për njerëzit që i vranë barbarisht vëllanë, pasi siç tha të njëjtët mund të vrasin nesër të afërmit e tyre.
“Të gjithë ata që i kanë mbyllur gojën këtij qyteti dhe vëllait tim duke i mbyllur jetën do të shkojnë në burg, të gjithë pa asnjë përjashtim. Si ata plehra që e dhunuan dhe ja morën jetën këtu dhe ata që të pashpirt që kërkuan ta mbyllin këtë vrasje makabre me heshtje apo me letra.
Kam vetëm një kërkesë për të gjithë pogradecarët; flisni, mos kini frikë, tregoni të vërtetat tuaja për banditët që morën jetën e Eglit, dëshmoni, se ata mund të vrasin vëllezërit tuaj nëse shpëtojnë paq, tregoni kush i mbron, kush janë kriminelët pas tyre. Kërkoj nga sistemi i drejtësisë, avokatë, prokurorë, gjyqtarë, këtë herë nuk ka para, miq, ndërhyrje.
Mos bëni gabim ta godisni me shkelma dhe grushte vëllain tim siç bënë barbarët që do përpiqen t’ju blejnë, kërkoj vetëm drejtësi, por jo vetëm si shprehje, e kërkoj si vepër”, tha ajo. /Njeshi/