27.9 C
Pec
E mërkurë, 24 Korrik, 2024

Ibrahimi akuzon nivelin qendror për injorim të kërkesave të komunave

Themelimi i grantit të katërt, amendamentimi i Ligjit për prokurimin publik, menaxhimi me kontratat kolektive, eliminimi i burokracisë për themelimin e ndërmarrjeve publike lokale janë disa nga çështjet që komunat kërkojnë zgjidhje nga niveli qendror tash e dy vjet, por të cilat vazhdojnë të hasin në vesh të shurdhër.

Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës Sazan Ibrahimi teksa potencon se shumica absolute e kryetarëve të komunave janë ankuar se niveli qendror nuk është duke i përkrahur në mënyrë të sinqertë.

“Asnjë zotim, asnjë kërkesë e komunave që është parashtruar që dy vite e më shumë, nuk ka pasur asnjë përpjekje nga niveli qendror që ta zgjidhë problemin. E kemi problemin me grantin e katërt, amendamentimin e ligjit për prokurim publik, kontratat kolektive që janë duke u marrë me dhjetëra miliona euro komunave. Komunat kanë kërkuar ndihmë. Eliminimin e burokracisë apo politizimin e proceseve sa i përket themelimit të ndërmarrjeve publike lokale, ku në disa raste niveli qendror me qëllim i zvarrit proceset vetëm e vetëm që mos t’ia lejojë komunave krijimin e ndërmarrjeve publike lokale edhe pse ato i përmbushin kriteret e kërkuara nga ligji për ndërmarrje publike”, tha Ibrahimi.

Ndër sfidat kryesore, Ibrahimi përmend kontratat kolektive të cilat po zbatohen padrejtësisht në kurriz të komunave, duke u kushtuar atyre me miliona euro. Ai potencon se këtë vit 22 komuna do të kenë mangësi në mjetet financiare për investime të reja kapitale.

“Shumica absolute e kryetarëve të komunave janë duke u ankuar që niveli qendror nuk është duke i përkrahur në mënyrë të sinqertë. Përveç mungesës së përkrahjes në investime kapitale edhe bashkëpunimin nuk e kanë korrekt me nivelin qendror…22 komuna këtë vit do të kenë mangët mjete financiare për investime kapitale të reja. Gjithashtu, mjete buxhetore të cilat ndahen drejtpërdrejt nga qeveria. Ka plot komuna të cilat nuk do të kenë asnjë cent për investime të reja kapitale…Në anën tjetër kontratat kolektive të cilat janë duke u zbatuar padrejtësisht në kurriz të komunave duke ua marrë mjetet financiare nga të hyrat vetanake, ku të hyrat vetanake qëllimin kryesor e kanë investime kapitale, atëherë komunat do të kenë shumë shkurtime sa i përket investimeve kapitale…Në asnjë rast kryetarët e komunave dhe asociacioni kurrë nuk ka qenë kundër kontratave kolektive. Por, gjithmonë neve kemi kërkuar që zbatimin e kontratave kolektive ta bëjë niveli qendror, sepse ata janë nënshkrues”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi thotë se vonesat në bartjen e të hyrave vetanake po u kushton komunave në raportin e auditorit dhe grandin e skemës së performancës. Ai potencon se shumica e kryetarëve këto vonesa po i konsiderojnë si politike

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës thotë se është duke u hartuar një udhëzim administrativ, me të cilin niveli qendror do të tentojë t’i marrë hapësirat e komunave. Për këtë udhëzim administrativ, Ibrahimi thotë se nuk ka bazë ligjore.

Ai tregon se komunat janë në proces të hartimit të buxhetit komunal për 2025, për çka thotë se pritet deri në fund të korrikut apo fillim të gushtit t’i pranojnë limitet buxhetore të shpenzimeve. Lidhur me këtë, Ibrahimi thotë se komunat nuk janë të kënaqura, pasi do të ketë shkurtime në personelin arsimor dhe atë shëndetësor./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...