Për dy vjet mësimore në Republikën e Kosovës ka rreth 13 mijë nxënës më pak në bankat shkollore, ndërsa vetëm këtë vit janë rreth 4 mijë e 180 krahasuar me vitin e kaluar, ka thënë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Në një intervistë për KosovaPress, Ibrahimi derisa rendit sfidat në arsim, të cilat janë identifikuar nga drejtorë komunal të arsimit, thotë se një numër i banorëve në vend që vijnë nga Lugina e Preshevës, nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës dhe si pasojë e kësaj nuk mund të aplikojnë për t’i marrë librat përmes platformës eKosova.Derisa shton, se mënyra më e mirë që të pajisen nxënësit me libra është ajo në të kaluarën.
Ibrahimi thotë se shqetësuese është edhe fakti se disa komuna nuk kanë as edhe librari, dhe detyrohen të lëvizin në komuna tjera për t’i pajisur fëmijët me tekste mësimore.
“Ne si Asociacion i Komunave të Kosovës jemi në kontakt të drejtpërdrejtë ditor me drejtorë komunalë të arsimit, në këtë rast, dhe disa nga sfidat kryesore, të cilat janë identifikuar nga drejtorët komunalë të arsimit dhe të cilat sfida janë paraqitur në takimin e përbashkët kolegjiumit të arsimit me nivelin qendror kanë qenë që një numër i konsideruar i familjeve kanë kërkuar dhe ende kërkojnë asistencë te drejtoria komunale e arsimit sa i përket shfrytëzimit të platformës elektronike eKosova për subvencionimin e librave.
Si brengë e dytë, e cila është paraqitur nga drejtorët komunalë të arsimit është çështja e pamundësisë së prindërve për t’u pajisur me libra, radhët po thonë drejtorët që janë të gjata të prindërve duke pritur që të pajisjen me libra, por gjithashtu ka komuna, të cilat nuk kanë edhe librari, kështu prindërit duhet të shkojnë nga një komunë në komunën tjetër në mënyrë që të pajisen me libra. Një ndër sfidat tjera është edhe mungesa e disa teksteve shkollore për nxënësit”, deklaron Ibrahimi.
Ai thotë se në bazë të statistikave zyrtare ka rreth 13 mijë nxënës më pak për dy vite mësimore në vend.
“Në bazë të statistikave zyrtare ka rreth 4 mijë e 180 nxënës janë më pak në bankat shkollore këtë vit se vitin e kaluar, kurse vitin e kaluar, krahasuar me vitin 2022, ka pas rreth mbi 9 mijë nxënës më pak në bankat shkollore sesa vitin paraprak. Kështu në total i bie që për dy vite mësimore në Republikën e Kosovës kemi rreth 13 mijë nxënës më pak në bankat shkollore”, tha Ibrahimi.
Ai teksa thotë se kanë ngritur shqetësimin e tyre lidhur me disa banorë që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës te niveli qendror, thotë se përgjigjja e tyre ka qenë që askush nuk mund të pajisjet me tekste shkollore nëse nuk regjistrohet përmes platformës eKosova.
“Sfidë tjetër nga drejtorët komunalë të komunave të ndryshme është theksuar se një numër i banorëve në Republikën e Kosovës që vijnë nga Lugina e Preshevës, ata nuk janë të pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës dhe si pasojë e kësaj, ata nuk mund të aplikojnë për t’i marrë librat përmes platformës eKosova. Vetëm në Komunën e Gjilanit janë mbi 3 mijë persona, të cilët nuk kanë ndonjë dokument të Republikës së Kosovës dhe me automatizëm fëmijët e tyre apo prindërit në këtë rast nuk mund të aplikojnë në platformën eKosova që t’i pajisin fëmijët e tyre me tekste shkollore.
Gjithashtu, në Komunën e Hani të Elezit janë me dhjetëra nxënës, të cilët gravitojnë nga fshatrat, të cilat janë buzë kufirit me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ata nuk kanë asnjë dokument të Republikës së Kosovës, kështu me automatizëm edhe ata janë të sanksionuar të pajisën me libra shkollorë.
Këto çështje janë ngritur, mirëpo përgjigjja nga niveli qendror ka qenë që askush nuk mund të pajisjet me tekste shkollore nëse nuk regjistrohet përmes platformës eKosova. Në këtë rast, prindërit që vijnë nga Lugina e Preshevës, por edhe buzë kufirit me Republikën e Maqedonisë së Veriut, ata nuk mund të pajisen me tekste shkollore”, thotë Ibrahimi.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës thotë se mënyra më e mirë për të mos pasur probleme të tilla është pajisja e nxënësve me tekste mësimore sikurse në të kaluarën, kur nxënësit kanë shkuar në bankat shkollore dhe janë furnizuar me tekste mësimore.
“Drejtorët komunalë kanë theksuar që mënyra më e mirë për të mos pasur probleme të tilla është pajisja e nxënësve me tekste mësimore siç ka ndodhur në të kaluarën. Ata kanë shfaqur gatishmëri të plotë të kenë një bashkëpunim të sinqertë me nivelin qendror në mënyrë që të mos kemi sfida, mirëpo kanë theksuar se mënyra më e mirë që nxënësit të pajisen me tekste mësimore ka qenë mënyra në të kaluarën, ku nxënësit kanë shkuar në bankat shkollore dhe janë furnizuar me tekste mësimore”, përfundon Ibrahimi. /KP//Njeshi/