Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në natyrë, për shkak të rritjes së rrezikut nga kafshimet e gjarpërinjve në muajt e ngrohtë.
Sipas njoftimit, gjarpërinjtë janë më aktivë nga maji deri në shtator, sidomos në ditët me temperatura të larta. Ata fshihen zakonisht në vende të thata dhe shkëmbore, nën gurë, shkurre, pranë lumenjve, liqeneve dhe në toka bujqësore.
IKShPK rekomandon qytetarët që të veshin rroba të gjata dhe çizme gjatë ecjes në natyrë, të shmangin shkurret dhe barin e lartë, dhe të mos fusin duart në vrima apo nën gurë. Po ashtu, këshillohet që gjatë natës të përdoret dritë dore në zona të errëta.
Në rast të kafshimit nga gjarpri, qytetarët këshillohen të qëndrojnë të qetë, të mos lëvizin shumë dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore urgjente, duke shmangur çdo ndërhyrje të panevojshme në vendin e kafshimit./Njeshi/