Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza,” i dyshuar për vrasjen e policit Triumf Riza në vitin 2007, do të qëndrojë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Gashi bëri të ditur se Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti Special, ka marrë vendim më 29 Korrik 2024 për të pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Ilir Abdullahu.
Kjo masë paraburgimi është zgjatur për një periudhë prej dy muajsh.
Ilir Abdullahu u arrestua më 16 Korrik 2023 në Batllavë të Podujevës, pas një periudhe 15-vjeçare në arrati.
Ai është akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, për të cilën ngjarje mbeti i vrarë zyrtari policor Triumf Riza më 30 Gusht 2007 në Prishtinë.
Abdullahu fillimisht ishte liruar nga paraburgimi pas një pagesë dorëzanie prej 100 mijë euro, por më vonë, më 3 Nëntor 2023, Gjykata e Apelit e kishte kthyer vendimin dhe e kishte rikthyer atë në paraburgim.
Sipas Gjykatës së Apelit, vendimi për lirimin e tij me dorëzani ishte në shkelje të dispozitave të procedurës penale, duke theksuar se ekzistonte rreziku i ikjes së tij.
Ky vendim u konfirmua më vonë edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës, duke e mbajtur Abdullahun në paraburgim ndërsa çështja e tij penale vazhdon të shqyrtohet nga autoritetet./Njeshi/