Në kuadër të programeve të përjavshme të natës ‘Mesazhe Fetare’, organizuar çdo të Premtë mbrëma nga ‘RADIO 1’ në respekt dhe kuadër të Muajit të Madhërishëm Ramazan, këtë të Premtë, ka qenë i ftuar mulla Ermir Gega – imam në Xhaminë e Kuqe të Pejës.
Gega gjatë intervistës ka folur edhe mbi rëndësinë e 10 ditëshit të parë të Muajit të Madhërishëm Ramazan.
‘Muaji i Ramazanit është Muaji i Kuranit famëlartë. Pra në të filloi të shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra. Agjërimi është një traditë universale, i cili është praktikuar qysh nga koha e lashtë. Çdo vit për 30 ditë ose 29 varet se si i bie nga kalendari islam, qindra miliona muslimanë heqin dorë nga të ngrënit e të pirit, duke kërkuar mirësitë e Allahut të Madhërishëm nëpërmjet ibadetit. Këtu të kujtojmë se secili 10 ditësh i këtij muaji ka peshën e vet të madhe,mirëpo meqë jemi në dhjetëshen e parë, po i përgjigjem interesimit të besimtarëve që na ndjekin në ‘Radio 1′. 10 ditëshi i parë është i mëshirës. Në këto dhjetë ditë rritet mëshira, rritet vlera e pranimit të lutjes, bujarisë, bereqetit, zijaretit. Pra secila nga këto që praktikohet si vepër nga besimtari i shumëfishohet shpblimi.’-ka thëne mulla Ermir Gega në ‘RADIO 1’.
Tutje Gega ka sqaruar edhe kategorizimin e dy dhjetësheve të radhës.
‘E thamë Dhjetëditëshi i parë është i mëshirës, tani dhjetëditëshi i dytë është i faljes dhe dhjetëditëshi i tretë shërben për të kërkuar shpëtim nga zjarri i xhehenemit. Këto na shpjegon me precizitet feja jonë.’-tha ai mes tjerash.
Ndryshe, mulla Ermir Gega është edhe udhëheqës i Kuzhinës Humanitare ‘Bereqeti’në Pejë, nga e cila ushqehen qytetarë në nevojë e e cila gjatë muajit Ramazan ofron Iftare dhe Syfyre Gratis për këtë kategori./RADIO 1/