2.3 C
Pec
E hënë, 22 Prill, 2024

Imeraj: Kërkojmë nga Qeveria dhe komuna që të mos zbatojnë vendimin e Kushtetueses për pronat në Manastir të Deçanit

Kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, Shkodran Imeraj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Deçanit që mos të ekzekutojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat Apiko dhe Iliria për të ju dhënë Manastirit të Deçanit.

Imeraj përmes një konference për media ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Supreme dhe më pas i Kushtetueses bazën e kanë në vendime të masave të dhunshme, siç tha ai “të regjimit të Millosheviqit”.

“Tokat të cilat në vitin 1993 dhe 1997 me vendime të ndara të autoriteteve të regjimit të Millosheviqit iu dhuruan Manastirit të Deçanit dhe së këndejmi Gjykata Kushtetuese e Kosovës me aktgjykimin e saj të datës 20.05.2016 i shpall rest judicata aktgjykimet e shkallës së parë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Aktgjykime që bazën e kanë në vendime të masave të dhunshme dhe kësisoj vendimi i Kushtetueses i ka vulosur si valide dhe të jetërsueshme në Kosovë, ligjet, vendimet dhe aktet nënligjore të regjimit të Millosheviqit”, tha ai.

Tutje, Imeraj theksoi se ujdia e UNMIK-ut pas 17 shkurtit të vitit 2008 është i papranueshëm dhe antiligjorë.

“Për ne si ‘Lidhja e Historianëve të Kosovës’, dega në Deçan është e papranueshme dhe antiligjore se si një përfaqësues i UNMK-ut në emër të institucioneve të AKM-së, sjellë ujdi kur dihet se UNMIK-ut pas 17 shkurtit të vitit 2008 nuk ka pasur rol ekzekutiv në Kosovë.

Pronat e ndërmarrjes Apiko dhe Iliria asnjëherë nuk kanë qenë prona të Manastirit të Deçanit… Këto prona nuk janë marrë nga pronësia e Manastirit. Tentimi i kreut të Manastirit të Deçanit për t’i marr në pronësi këto prona daton qysh në vitin 93’ dhe 97’…”, theksoi Imeraj.

Siç u shpreh ai: “Tashmë këto ditë ka lëvizje dhe tentime që të zbatojnë vendimin anti kushtetues dhe anti ligjor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sa i takon pronave në Deçan. Ne për të satën herë e përsërisim qëndrimin tonë dhe i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës drejtuar nga kryeministri, Albin Kurti që të mos ta zbatojnë vendimin e Kushtetueses për pronat në Deçan sepse zbatimi i tij do të shndërrohet në normë juridike, respektivisht në ligj dhe si i tillë do të jetë precedent i rrezikshëm dhe i pariparueshëm për Kosovën. Kur them precedent sepse Kosova do të ketë probleme të tjera të hapur me tokat që i janë falur kishave në vitet 1990 dhe 1999”.

Ndërkaq, Imeraj potencoi se pas Manastirit të Deçanit radha do të jetë për kishën e cila është e ndërtuar në pronë të Universitetit të Prishtinës.

“Sipas mendimeve tona pas Deçanit, radha do të jetë në Prishtinë ku kisha ilegale e ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës rrezikon që të humbet dhe t’i kaloj në pronësi Kishës Ortodokse. Dhe si i tillë precedenti i Deçanit do të jetë i rrezikshëm dhe do ta fus Kosovën në probleme sa i përket pronave të kishës ortodokse e cila dirigjohet nga Beogradi.

Po ashtu përsërisim thirrjen tonë drejtuar Qeverisë së Kosovës, Komunës së Deçanit dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës që mos të zbatojnë vendimin e Kushtetueses për pronat në Deçan, pasi Manastiri dhe kreu i saj nuk e njohin Republikën e Kosovës”, tha ndër të tjera Imeraj. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...