Në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ndodhur sot një incident, ku është dëmtuar vetura private e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka thënë se dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura.
Automjeti ishte i parkuar në hapësirat zyrtare të administratës në momentin e ngjarjes.
“Dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura, në kohën kur po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të ShSKUK-së”, thuhet në njoftim.
Rrethanat e dëmtimit mbeten ende të paqarta. Menjëherë pas incidentit, janë njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila ka nisur hetimet për të zbardhur rastin.
“Për incidentin janë njoftuar menjëherë organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila tashmë ka filluar procedurat e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti”, thuhet tutje në njoftimin e ShSKUK.
ShSKUK ka shprehur shqetësimin dhe keqardhjen për ngjarjen, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim të plotë me autoritetet përkatëse në funksion të sqarimit të plotë të rastit.
Ndërsa, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti tha për Telegrafin se rasti ka ndodhur rreth orës 10:00.
“Rreth orës 10:00, është pranuar informata lidhur me dyshimet për një shpërthim në një veturë në parkingun e QKUK-së. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale”, deklaroi ajo.
Ahmeti shtoi tutje se policia me të gjitha njësitë relevante ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen. /Njeshi/