Ish-presidenti i rajonit spanjoll të Katalonjës, Carles Puigdemont ka kritikuar këtë të premte vendimin e qeverisë së Pedro Sanchezit të Spanjës për të njohur shtetin palestinez.
Puigdemont, i cili gjatë fushatës zgjedhore katalanase heshti për krizën e Gazës, tani vë në pikëpyetje vendimin e qeverisë spanjolle, duke kujtuar se Spanja nuk e ka njohur Kosovën dhe qeveria e Sanchezit ka injoruar saharasit (banorët e Saharës Perëndimore, që për 89 vjet ka qenë koloni e Spanjës).
Ai kritikon “standardin e dyfishtë” të Sanchezit sepse “populli i Katalonjës” ka “të njëjtën të drejtë për vetëvendosje si populli i Palestinës”.
Puigdemont thekson se qeveria spanjolle njofton “në mes të një konflikti të armatosur që po trondit botën” dhe “mund të duket se shteti spanjoll është bërë tani një mbrojtës i së drejtës së vetëvendosjes së popujve si mekanizëm për zgjidhjen e konflikteve”.
Një qëndrim që “shumica e katalanasve e kanë mbrojtur gjithmonë”, thotë lideri pro-pavarësisë së Katalonjës. Por nuk është kështu, shton Puigdemont, duke kujtuar se Spanja “është një nga vendet e pakta evropiane” që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Nuk ia njeh të drejtën evropianëve të Kosovës që të vendosin lirisht për të ardhmen e tyre, pavarësisht se Bashkimi Evropian tashmë ka marrëdhënie diplomatike me ta”, thotë Puigdemont.
Spanja, tha ai, “është mbi të gjitha shteti që shtypi katalanasit për referendumin e 1 tetorit” të vitit 2017.
Për Puigdemont, “populli i Palestinës ka të drejtën e vetëvendosjes si populli i Katalonjës” dhe me vendimin e saj, qeveria e Spanjës vendos një “standard të dyfishtë” që “dobëson” demokracitë evropiane “kur e praktikojnë atë jashtë vendit dhe nuk e praktikojnë atë në shtëpi”.
Aktualisht, Puigdemont jeton në ekzil në Belgjikë pasi kërkohet nga drejtësia spanjolle për organizimin e referendumit për pavarësi në vitin 2017./Njeshi/