Në praninë e qindra qytetarëve, personaliteteve të arsimit dhe të institucioneve, në ora 16:00, në varrezat e qytetit në Pejë, iu dha lamtumira e fundit arsimtares së fizikës Kifajete Kelmendit.
Morën pjesë në ceremoni mortore edhe Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri me kabinetin e tij dhe ish-kryetari i Pejës Ali Berisha me bashkëpunëtorë.
Për jetën, veprën dhe kontributin në arsim ndër dekada, gjatë ceremonisë mortore, në emër të Sh.F.M.U. ‘Xhemajl Kada’, fjalë rasti ka mbajtur arsimtarja Luljeta Hysenaj.
‘Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajmë dhimbjen që ndjejmë për këtë humbje të madhe. Kifajetja ishte një shembull i përkushtimit, profesionalizmit dhe mirësisë, kujtimi i saj do të mbetet gjithmonë në zemrat tona. Familjes i shprehim ngushëllime në këtë kohë të vështirë. Ju jemi pranë me mendje dhe zemër.’-u tha mes tjerash.
Poashtu fjalë rasti, për rolin e të ndjerës Kifajete në edukim të brezave ka mbajtur edhe kryeimami i Pejës mulla Enes Goga.
Në respekt të veprës dhe kontributit të të ndjerës Kifajete Kelmendi, Sh.F.M.U. ‘Xhemajl Kada’, organizoi edhe orë komemorative, ku me fjalë rasti, ajo u kujtua nga Drejtori i Shkollës Sylë Peli si dhe gjykatësi Fatmir Baloku, në emër të komunitetit të lagjes ‘Kapeshnica’, prej nga vinte e ndjera.
Ndryshe, Kifajete Kelmendi, arsimtare ndër vite, e lëndës së fizikës vdiq papritmas, në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas një arresti kardiak.
E ndjera, deri në ditën e fundit të jetës punoj në shkollën fillore ‘Xhemajl Kada’ në Pejë.
Me këtë rast, familja Kelmendi, ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kanë ndarë dhe po ndajnë dhembjen me ta, në këto orë të rënda./Njeshi/
Ndahet papritmas nga jeta arsimtarja e fizikës Kifajete Kelmendi