20.2 C
Pec
E premte, 24 Maj, 2024

Izraeli vendos për mbylljen e zyrave të Al Jazeeras

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Qeveria e tij ka votuar në mënyrë unanime për mbylljen e zyrave lokale të transmetuesit televiziv në pronësi të Katarit, Al Jazeera.

Netayahu e bëri publik vendimin më 5 maj përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter. Por, detajet e ndikimit që do të ketë ky vendim ndaj Al Jazeeras, nuk janë ende të qarta. Po ashtu ende nuk dihet se kur do të hyjë në fuqi vendimi dhe nëse është i përhershëm apo i përkohshëm.

Al Jazeera, që ka selinë qendrore në Doha të Katarit, ende nuk ka komentuar për vendimin izraelit. Por, një korrespondent i Al Jazeeras në shërbimin arab tha se ky urdhër do të ndikojë tek operacionet e transmetuesit në Izrael dhe në Jerusalemnin Lindor, prej ku kishte transmetuar drejtpërdrejtë programe që nga 7 tetor, kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Korrespondenti tha se vendimi i Qeverisë izraelite nuk do të ketë ndikim në operacionet e Al Jazeeras në territoret palestineze.

Mediat izraelite thanë se vendimi në kabinetit qeverisës do t’i mundësojë Izraelit që të bllokojë Al Jazeeran që të operojë në shtet për 45 ditë, sipas vendimit.

“Qeveria ime vendosi në mënyrë unanime: kanali nxitës Al Jazeera do të mbyllet në Izrael”, shkroi Netanyahu.

Al Jazeera ka mohuar fuqishëm se është një kanal nxitës kundër Izraelit.

Izraeli dhe Al Jazeera për një kohë të gjatë kanë mospajtime. Por, vendimi kërcënon rritje tensionesh me Katarin, pasi Qeveria në Doha aktualisht po luan rol kyç në përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje që do të ndalte luftën në Gazë.

Al Jazeera është një prej mediave të pakta ndërkombëtare që raportojnë nga Gaza që nga nisja e luftës më 7 tetor. Programet në gjuhën arabe të kësaj media shpesh publikojnë edhe deklarata nga Hamasi dhe nga grupe të tjera militante në rajon. Kjo media ishte kritikuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara gjatë ndërhyrjes amerikane në Irak dhe pas rrëzimit të diktatorit irakian, Saddam Hussein. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...