Dhuna në familje vazhdon të mbetet shqetësim në Kosovë, me tendenca të rritjeve. Raportet e policisë tregojnë për dhjetëra raste të dhunës në familje, ndërsa si rëndomtë viktima mbesin gratë, ndërsa burrat janë të dyshuar.
Në 24 orëshin e fundit janë shënuar gjashtë raste të dhunës në familje, dy në Prishtinë, një në Fushë Kosovë dhe tri raste në Pejë.
Policia raporton se në Prishtinë dje një djalë dhe një vajzë të cilët janë në lidhje dashurie janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve të cilët për shkak të mosmarrëveshjeve kanë ushtruar dhunë fizike ndaj njëri tjetrit.
Policia thekson se si pasoj e dhunës të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa në konsultim me prokurorin rasti procedohet në procedurë të rregullt.
Ndërsa në rastin e dytë në Prishtinë dyshohet se një shtetase e huaj është duke përjetuar dhunë psikologjike dhe ndjehet e frikësuar nga i dyshuari ish-bashkëshorti i saj me të cilin ishte ndarë disa vite më parë, por jetojnë në një shtëpi të përbashkët.
“I dyshuari sipas viktimës në bagazhin e veturën e asaj kishte vendosur në pajisje telefon për ti përcjellë lëvizjet e saj. Në konsultim me prokurorin i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thekson policia.
Në Fushë Kosovë është arrestuar një i dyshuar, pasi i njëjti në gjendje të dehur ka kanosur viktimën mashkull. Sipas policisë, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Pejë është arrestuar i dyshuari për shkak se i njëjti në gjendje të dehur i ka bërë presion bashkëshortes së tij.
“Pas inicimit të rastit i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, njofton policia.
Gjithashtu, policia ka bërë të ditur se në Pejë është arrestuar një i dyshuar nën dyshimin se i njëjti në tualetin e një kafiterie ka tentuar të kryej marrëdhënie seksuale me viktimën femër me të cilën i dyshuari kishte bashkëjetuar më herët.
Në konsultim me prokurorin, sipas policisë, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Në Pejë është arrestuar i dyshuari shtetas i huaj, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës, motrës së tij me dy fëmijë duke ua mbyllur derën e shtëpisë.
“Në konsultim me prokurorin palët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, njofton policia. /Njeshi/