Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), ka thënë se nga Qeveria Kurti ka një qasje armiqësore ndaj sindikatave.
Ai tha se gjithmonë kanë pritur se një parti që ka orientim social-demokrat do të sjellë ditë më të mira për punëtorët në sektorin publik dhe sektorin privat. Sipas tij, me uljen në kolltuk ndodhë krejt e kundërta.
“Qeveria Kurti me qëllim ka një qasje të gabuar ndaj dialogut social dhe ka një qasje që merr përmasat edhe armiqësore ndaj sindikatave, veçmas atyre që i sheh si të forta e që është Sindikata e Arsimit”, u shpreh Jasharaj.
Jasharaj tha se fajtori kryesor mbase nuk është kryeministri, por ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Sipas tij, Murati po bën katër vite në detyrë dhe ka harruar që përveç që është ministër i Financave është edhe ministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe kjo detyrë ia obligon që të jetë flamurtar i dialogut social.
“Hekuran Murati me veprimet e tij, me barikadimet e bëra, me ngërçin e krijuar në mënyrë artificiale me Këshillin Ekonomik-Social duke e bllokuar në tërësi funksionimin e tij, ka dëshmuar se është kundër dialogut dhe kundër sindikatave”, u shpreh Jasharaj.
Ai tha se ëndrra e ministrit Murati është të shkatërrojë edhe SBASHK-un, por që nuk do ia arrijë dhe se SBASHK është më i fortë se në të kaluarën.
Duke folur për kontratat kolektive, ai tha se janë krenarë që kanë nënshkruar këto kontrata në fushën e arsimit.
Për mospërmbushjen e këtij obligimi nga pushteti qendror dhe ai lokal, Jasharaj tha se kanë menduar se ata do organizojnë vetëm protesta të vogla dhe do heshtin, por që ata të drejtat e tyre i kanë kërkuar edhe përmes gjykatës.
“Mbase Qeveritë lokale që nuk janë me pak faj dhe Qeveria qendrore që është shumë me faj kanë menduar se do bëhet një protestë e vogël, një grevë një orë, dy orë dhe punëtorët e arsimit do të heshtin. Na detyruan që të drejtat tona legjitime dhe të garantuar me kontratë t’i kërkojmë në Gjykata”, theksoi Jasharaj, duke thënë se çdo lëndë e tyre po merr përgjigje pozitive.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), së bashku me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), me përkrahje të National Endowment for Democracy (NED), të martën (29 tetor 2024 organizuan takim diskutues dhe publikuan raportin: Mungesa e Kontratave Kolektive – Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve”./Njeshi/