15.6 C
Pec
E premte, 12 Prill, 2024

Kabashi-Ramaj: Qeveria Kurti ka dështuar në garantimin e sigurisë kombëtare

Koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë vizioni dhe aftësie në garantimin e sigurisë kombëtare dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mbrojtjes.

Kabashi-Ramaj, në një konferencë për media, ka theksuar se kjo Qeveri ka mangësi të konsiderueshme në të kuptuarit e partneriteteve strategjike, veçanërisht me SHBA-në.

“Qeveria ka dështuar vazhdimisht të përgjigjet në mënyrë efektive ndaj provokimeve dhe kërcënimeve serbe, t’i kundërvihet luftës hibride ruse dhe të menaxhojë çështjet e sigurisë së brendshme, duke përfshirë integrimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, rritjen e qëndrueshmërisë kombëtare dhe përmirësimin e menaxhimit të emergjencave dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm”, tha ajo.

Sipas Kabashi-Ramajt, shembulli më flagrant i favorizimit të lëvizjeve populiste për planifikimin strategjik të sigurisë është ngritja e fondit vullnetar për ushtrinë me praktika të dyshimta financiare, duke anashkaluar procedurat standarde të buxhetit.

“Iniciativat legjislative si projektligji për Inteligjencën Ushtarake dhe Projektligji i Këshillit të Sigurisë Kombëtare shfaq të meta të rëndësishme, duke treguar një mospërfillje të strukturave ekzistuese dhe një qasje alarmante për shpërbërjen e institucioneve tashmë ekzistuese dhe rindërtimin nga e para. PDK-ja synon të zhvillojë një platformë largpamëse të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes për 10 deri në 20 vitet e ardhshme, duke u fokusuar në vizionin, njohurinë, kompetencën dhe inovacionin, të dobishme për të gjithë qytetarët…”, tha ajo.

Sa i përket Projektligjit për Inteligjencën Ushtarake, Kabashi-Ramaj, tha se deklaratës së misionit i mungon qartësia, duke çuar në konfuzion rreth objektivave të agjencisë.

“Struktura raportuese ka të meta, duke dështuar në pozicionimin e duhur të FSK-së në zinxhirin komandues. Autorizimi i përdorimit të forcës është i diskutueshëm dhe potencialisht i papërshtatshëm. Dispozitat e mbikëqyrjes brenda kufijve të vendit mund të cenojnë liritë civile. Ka dyfishime me detyrat që tashmë ka AKI.  Përjashtimi i buxhetit të Operacioneve Speciale nga rregullat standarde financiare ngre shqetësime për transparencën”, theksoi ajo.

Kabashi-Ramaj tha se Kosova është e qytetarëve të saj, dhe si e tillë meriton një të ardhme të sigurt dhe shpresëdhënëse. “Siguria kombëtare, një çështje jetike, është e rrezikuar nga politikat aktuale të qeverisë. Nevojitet veprim urgjent për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të sigurisë së Kosovës”, përfundoi ajo./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...