12.8 C
Pec
E premte, 25 Prill, 2025

Kallas javën e ardhshme viziton Ballkanin Perëndimor

Përfaqësuesja e Lartë për Politika të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, nga 7 deri më 9 prill do të vizitojë disa shtete në Ballkanin Perëndimor.

Në vizitën e parë të saj në rajon si shefe e diplomacisë evropiane, Kallas do të qëndrojë në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

BE-ja njoftoi se në ditën e parë të turneut të saj, në Mal të Zi zyrtarja e lartë evropiane do të takohet me presidentin Jakov Millatoviq dhe kryeministrin Millojko Spajiq. Ajo po ashtu do të takohet me përfaqësues të shoqërisë civile.

Mali i Zi është shteti që ka avancuar më së shumti në rajon në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE.

Më 8 prill, në Shqipëri Kallas do të ketë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin, Edi Rama. Me këtë të fundit do të zhvillojë edhe një konferencë të përbashkët për media.

ETC e rregullt

Në Shqipëri, shefja e diplomacisë evropiane do të takohet edhe me ministrin për Evropë dhe Çështje Evropiane, Igli Hasani, dhe me atë të Mbrojtjes, Pirro Vengu.

“Ajo do të marrë pjesë në takimin e parë të Dialogut për Siguri dhe Mbrojtje BE-Shqipëri me ministrat Hasani dhe Vengu. Po ashtu, Kallas do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të grantit nga Banka Evropiane për Investime dhe të marrëveshjeve të huas për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë”, thuhet në njoftim.

Në ndalesën e fundit të vizitës në Ballkanin Perëndimor, Kallas do të qëndrojë në Bosnje e Hercegovinë, ku do të zhvillojë takime me krerët e Presidencës trepalëshe, me kryetaren e Këshillit të Ministrave dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës dhe me përfaqësuesit e forcës evropiane në Bosnje, EUFOR.

Gjatë seancave dëgjimore për konfirmimin e saj në postin e shefes të diplomacisë së BE-së, Kallas kishte premtuar që do të punojë që zgjerimi i BE-së të bëhet realitet.

Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës – si dhe Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia janë kandidate për anëtarësim në BE.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në bllokun evropian, por aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende. /REL/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...