Sipas ligjeve të trafikut rrugor, nga data 15 nëntor e deri më datë 15 mars, të gjithë pjesëmarrit në trafik, që qarkullojnë nëpër rrugët e Republikës së Kosovës, duhet të kalojnë nga gomat e verës në goma të dimrit.
Për mos zbatim të këtij urdhëri të trafikut, që është në shërbim të sigurisë në komunikacion, pasojnë gjobat dhe veprimet policore.
Me këtë rast, kapiten Teki Syla – Komandant i Njësisë Rajonale të Trafikut në Pejë ka bërë thirrje tek pjesëmarrësit në trafik, për përmbajtje dhe zbatim të këtij ligji.
“Çdo herë nga 15 nëntori deri më 15 mars, zbatohet praktika e kërkuar, ndërrimi i gomave nga verore në të dimrit. Gomat e dimrit duhet të jenë M+S dhe thellësia e lavrës të pneumatikëve nuk guxon të jetë më e vogël se 4 mm. Ndryshe, sipas nenit 248 të rregullave të trafikut rrugor, në qoftë se polici has mjetin në rrugë në të cilën lëvizja e atij lloji mjeti është e ndaluar, ose lëviz pa pajisje dimërore në pjesën e rrugës dhe në kohën kur pajisja dimërore është e detyrueshme, do ta urdhërojë shoferin që menjëherë të ndërpresë lëvizjen e mjetit ose të vazhdojë lëvizjen e mjetit në rrugë në të cilën lëvizja e atij lloji mjeti lejohet, përkatësisht ta përdorë pajisjen dimërore.”-rikujton kapiteni Syla, duke folur në ‘RADIO 1’.
Syla kujton edhe vlerën e lartë të gjobave, në rast të mos respektimit të këtij ligji nga ana e ngasësve.
“Shqiptohet gjoba prej 150 euro, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 1. të këtij neni. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 300 euro edhe personi juridik ose institucioni në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar personi i përcaktuar në paragrafin 5. të këtij neni.”,-shton tutje ai.
Syla thotë se Policia nuk e ka prioritet shqiptimin e gjobave por ruajtjen e jetëve në trafik.
Ndryshe, kapiten Teki Syla – Komandant i Njësisë Rajonale të Trafikut në Pejë, duke folur për ‘RADIO 1’, theksoi faktin statistikor se viti 2024 në krahasim me ate paraprak 2023, ka shënuar rënie të numrit të aksidenteve me fatalitet./Njeshi&RADIO 1/