Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka mbajtur takim me kryetarët e partive politike.
Arsye për këtë tubim ishte konsultimi për caktimin e një date për zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Në këtë takim morën pjesë krerët e partive opozitare, PDK, LDK, AAK dhe ata të disa partive të tjera më të vogla, por i pranishëm nuk ishte asnjë përfaqësues nga Lëvizja Vetëvendosje, e që në lidhje me këtë, Osmani ka thënë se ka marrë përgjigje që kryeministri Albin Kurti ndodhet sot jashtë vendit, dhe se kjo mund të ketë qenë arsyeja e mospjesëmarrjes së tij në takimin e sotëm.
Megjithatë, ai rezulton të jetë në vend.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka treguar arsyen se pse kryeministri Albin Kurti nuk mori pjesë në takim. Ai tha se Kurti është në takim me ambasadorët “e shteteve mike të Kosovës”.
“Kryeministri po merr pjesë në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku është i ftuar si mysafir nderi. Dreka është caktuar me 10 korrik. Konfirmimi nga ana e kryeministrit për këtë drekë është bërë para tre jave”, ka theksuar ai.
Pas këtij takimi është deklaruar presidentja Osmani, e cila ka bërë të ditur se nuk u caktua ndonjë datë për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme nacionale dhe është shprehur se ka mbetur të bëhet edhe një analizë e datave që janë folur në këtë takim dhe sipas saj, do të dalë me një datë që do ta bëjë publike në vijim.
“Janë katër data për zgjedhje që janë propozuar. E para është 26 janari, e dyta është 2 shkurti, e treta është 9 shkurti dhe e katërta 16 shkurti, meqenëse ligji ynë parasheh që vetëm të dielave mund të organizohen zgjedhjet. Prandaj, diskutimi ynë ishte vetëm në kontekst të këtyre katër datave. Nuk kishte ndonjë insistim të tepërt, kishte preferenca”, është shprehur ajo.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dha detaje nga diskutimet e këtij takimi, duke thënë se ka propozuar datën 26 janar të vitit 2025, si optimale për zgjedhje të rregullta.
“Sot, në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme”, ka thënë ai.
26 janari është propozuar edhe nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka pasur edhe disa opsione të tjera, 2, 9 dhe 16 shkurtin.
Ai ka potencuar se vendi ka nevojë sa më parë të shkojë në zgjedhje, pasi sipas tij, i duhet një qeveri me qasje pro-perëndimore.
“Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin pro-perëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme”, është shprehur ai.
Ndërkaq, në lidhje me takimin e mbajtur, presidentja Osmani ka theksuar se është i bazuar në Kushtetutën e Kosovës.
“Ftesa për këtë takim me kryetarët e partive politike është bazuar në kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës së Republikës së Kosovës për shpalljen e zgjedhjeve të Republikës”, ka thënë e para e shtetit në konferencën për media pas përfundimit të takimit./Njeshi/