6.8 C
Pec
E premte, 16 Maj, 2025

Katër zyrtarë policorë nën hetim në Gjakovë për dyshime mbi përfshirje në vepra penale

Katër zyrtarë policorë janë intervistuar pasi dyshohet se janë përfshirë në veprat penale “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare” në Gjakovë.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjakovë dhe me autorizim të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, ka realizuar sot në orët e hershme të mëngjesit kontrolle në dy lokacione të ndryshme në regjionin e Gjakovës.

Tutje thuhet se kontrollet janë kryer në kuadër të një hetimi penal që është duke u zhvilluar ndaj disa zyrtarëve policorë, lidhur me dyshimet për përfshirje në veprat penale “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

“Gjatë realizimit të kontrolleve, hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar disa prova materiale që mund të kenë rëndësi për procedurën hetimore. Deri në këtë fazë të hetimit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve katër (4) zyrtarë policorë të dyshuar në praninë e mbrojtësve të tyre ligjor”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore Gjakovë pritet të ndërmerren edhe veprime të tjera procedurale në përputhje me mandatin ligjor dhe autorizimet përkatëse.

“Pasi që veprimet hetimore janë akoma duke u ndërmarrë, për masat dhe veprimet tjera që do të ndërmerren mediet do të njoftohen më vonë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Po ashtu edhe drejtori Rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta ka thënë për Telegrafin se edhe tre qytetarë janë duke u intervistuar në Policinë rajonale në Gjakovë.

Sipas tij, pas intervistimit të tre zyrtarëve policorë Inspektorati i Policisë së Kosovës do të dalë me një komunikatë.

“Është operacion i përbashkët PK-IPK. Tre qytetarë dhe tre zyrtarë policorë janë duke u intervistuar. Për më tepër, pas përfundimit të procedurave të nevojshme, me siguri IPK do të dal me njoftim apo komunikatë”, ka thënë Graishta. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...