Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) përmes një reagimi ka shprehur mbështetjen për kryetarin e këtij subjekti politik, Fikrim Damka, pas ndalimit të tij nga organet e rendit për shkak të dyshimeve për sulm dhe kanosje.
Në komunikatën e KDTP-së arrestimi i Damkës është cilësuar si provokim nga disa qarqe që synojnë të njollosin procesin zgjedhor të 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës.
“Si partia më e vjetër e turqve të Kosovës, ne kemi mbrojtur gjithmonë të drejtat e komunitetit tonë dhe kemi qëndruar në krah të unitetit dhe kohezionit. Fatkeqësisht, arrestimi i kryetarit tonë të përgjithshëm dhe njëkohësisht Ministrit të turqve të Kosovës, z.Fikrim Damka, mbrëmë, na ka shkaktuar një trishtim dhe zhgënjim të madh. Ne besojmë se ky veprim është një provokim i disa qarqeve që synojnë ti njollosin zgjedhjet dhe shpallim me vendosmëri se do të qëndrojmë kundër kësaj padrejtësie”, thuhet në reagimin e KDTP-së.